Hovenier: Asociacioni të krijohet në përputhje me Kushtetutën, nuk duam Republikë tjetër serbe

Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë të mërkurën e 12 tetorit se duhet të themelohet Asociacioni, por kjo duhet bërë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës





Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të krijohet Asociacioni, por kjo sipas tij duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues, pra në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Më e rëndësishmja, e mendoj se këtë e ka thënë publikisht kolegu im, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Eskobar, siç e kam thënë edhe unë dhe ky nuk është ndryshim në politika, por Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi”, ka thënë Hovenier.

Tutje ai ka theksuar se as Shtetet e Bashkuara, e as partnerët e Evropës Perëndimore nuk kanë interesim për krijimin e një Republike tjetër Serbe, e cila do të mund të ndikonte në çrregullimin e rendit kushtetues të Kosovës.

“Ka shumë mënyra për krijimin e këtij entiteti, për të parë realizimin e këtij zotimi, që janë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e duam dhe këtë e kemi inkurajuar. As në Shtetet e Bashkuara, e as te partnerët tanë të Evropës Perëndimore nuk ka fare interesim që të shohim diçka si një Republikë tjetër Serbe apo diçka që do të çrregullonte rendin kushtetues apo të ndikonte në funksionimin e mirë të qeverisë së Kosovës”, ka shtuar Jeff Hovenier.

Kështu ambasadori amerikan Hovenier ka përfunduar se e mirëpret momentin kur qeveria e Kosovës do të përmbushë këtë zotim, gjë që sipas tij këtë qeveria e ka bërë edhe përmes marrëveshjes së Brukselit.

“E mirëpresim momentin kur qeveria e Kosovës do të ofrojë idetë e saj rreth mënyrës më të mirë për të përmbushur këtë zotim që qeveria e Kosovës e ka bërë përmes marrëveshjes së Brukselit, por në mënyrë që respekton Kushtetutën e saj dhe që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar tutje Jeff Hovenier.

Njëashtu diplomati amerikan ka theksuar se shteti i tij ka qenë dhe do të jetë në krah të Kosovës. Kështu ai ka theksuar edhe raportin e tij të mirë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë miq të kahmotshëm. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar përkrah Kosovës për kohë të gjatë dhe edhe Kosova i qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara. Kemi marrëdhënie njëmend të mira me këtë qeveri. Kam marrëdhënie të mira personale me presidenten Osmani dhe me kryeministrin Kurti dhe kontaktet në mes të qeverive janë të forta dhe të fuqishme. Kështu ka qenë edhe me qeveritë e kaluara sepse ta them sërish, kemi miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm”, ka theksuar Hovenier.

Ai ka folur edhe për takimet me sekretarin Blinken derisa nënvizon faktin se ata dëshirojnë që marrëveshjet e mëhershme të dy shteteve të zbatohen.

“Nuk ma merr mendja. Pjesë e bisedimeve tona me qeverinë e Kosovës ka qenë dëshira jonë që të shohim zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme. Kjo do të përfshinte edhe elemente të Zotimeve të Uashingtonit, si dhe të marrëveshjeve të Brukselit. Por, ne kemi partneritet të fuqishëm; komunikojmë gjatë gjithë kohës. Me siguri e dini se dje, sekretari Blinken foli me kryeministrin Kurti. Ky është vetëm një shembull. Ata janë takuar më herët gjatë verës. Kemi marrëdhënie të fuqishme, partneritet të fuqishëm”, ka shtuar ambasadori amerikan.

 





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika