Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka takuar guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismalin.
Hovenier ka përsëritur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për zbatimin e rregullores që ndalon dinarin serb në Kosovë.
Kështu, Hovenier ka kërkuar që të shtyhet zbatimi i kësaj rregulloreje.
“Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, ka shkruar Hovenier në X.
Today I had a productive meeting with the Governor of the Central Bank of Kosovo, Ahmet Ismaili. I reiterated U.S. concerns about the implementation of the amended regulation on cash operations. We urge that enforcement be postponed to allow ample time for effective transition… pic.twitter.com/MuVgxoxzC3
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) January 29, 2024
Ditë më parë, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme. Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro.
Pas shumë reagimeve për këtë rregullore, që ndalon dinarin serb në Kosovë, edhe shtetet e QUINT-it kanë kërkuar pezullim e zbatimit të kësaj rregulloreje.
Gjithashtu, në njoftim theksohet se çështja e dinarit duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.
“Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUINT-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”, thuhet në njoftim.