“I tronditur thellë kur lexova raportet për mjetet shpërthyese të përdorura në shumë pjesë të Kosovës”.
Kështu është shprehur ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, përmes një postimi në platformën X, por, Policia e Kosovës dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për një shpërthim në Mitrovicë të Veriut gjatë mesnatës të së enjtes në “Lagjen e boshnjakëve”.
Ndërkaq, Hovenier i ka dënuar këto akte të dhunës dhe ka kërkuar që autorët të nxirren para drejtësisë.
“Ne i dënojmë këto akte dhune dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të kryejnë hetim të plotë dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë”, ka shkruar Hovenier në X.
E për shpërthimin në veri, më saktësisht në “Lagjen e Boshnjakëve” ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se janë të shqetësuar për situatën e tensionuar në veri të vendit. Ai në një konferencë për media tha se BE-ja po i përcjell këto zhvillime me shqetësim dhe se do të reagojnë me kohë nëse është e nevojshme.
“Jemi të shqetësuar për vazhdimin e situatës ku nuk ka një depërshkallëzim të tensioneve. Dua të ripërsëris se jemi duke e përcjellë me shqetësim situatën dhe do të reagojmë me kohë në rast se është e nevojshme”, është shprehur Stano.