Hovenier në Ditën e të Pagjeturve: Mbetemi të përkushtuar për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka bërë homazhe para obeliskut për personat e pagjetur në Prishtinë

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ka thënë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën për personat e zhdukur.

Ambasadori Hovenier së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe para obeliskut për personat e pagjetur në Prishtinë.

“I nderuar për t’u bashkuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe familjarët e të zhdukurve për të respektuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Forcë. Ne qëndrojmë me çdo person që është në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre të zhdukur dhe mbetemi të përkushtuar për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve te përmendorja dedikuar personave të zhdukur, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, ka kërkuar hapjen e arkivave në Serbi.

Para mediave, kreu i ekzekutivit ka theksuar se prokuroria duhet të jetë më aktive dhe gjyqësori më efikas, ngase, siç thotë ai, e vërteta arrihet përmes drejtësisë.

“Bëmë homazhe sot në ditën ndërkombëtare të tyre, si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë që sa më parë të zbardhet fati i të pagjeturve, dhe të bëjmë trysni me BE-në që të hapen arkivat. Përveç që duhet të hapen arkivat, edhe prokuroria të jetë më aktive te ne dhe gjyqësori më efikas, sepse te e vërteta arrihet edhe përmes drejtësisë”, ka thënë Kurti.

Familjarët e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë

“950 shqiptarë janë zhvarrosur, këto janë ato pesë varrezat masive që u zhvarrosën njerëzit, me siguri që ka edhe të tjera. Në mesin e të zhdukurve me dhunë nuk janë të gjithë shqiptarë, ne jemi t’i gjejmë ata pa dallim etnie”, shtoi Kurti.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo vazhdon të jetë plaga më e thellë e pasluftës.

Ajo ka bërë thirrje për rritjen e angazhimit, në mënyrë që Serbia të japë të dhënat që çojnë deri te zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Sot përkujtojmë një ndër krimet më të llahtarshme të regjimit të Serbisë. Bëjmë thirrje që të rrisim angazhimin në mënyrë që Serbia t’i japë të gjitha të dhënat që do të na çonin deri te zbardhja e fatit të të pagjeturve”.

“Në këtë ditë që të gjithë ndajmë dhimbjen me familjarët që akoma edhe sot janë në ankth të madh, ata janë familjarë të gjithësecilit prej nesh, kjo vazhdon të jetë plaga më e thellë e pasluftës”, shtoi presidentja.

Të martën e 30 gushtit shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur në mbarë botën.

Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë, pasi lufta e fundit në vend bëri që shumë persona të mbesin të zhdukur.

Më shumë se 1 mijë e 600 persona figurojnë si të pagjetur.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika