Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të jap vizionin e saj për AKS-në, që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik dhe që u mundëson konsistencë të drejtave të minoriteteve, në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, “kjo është kritike, kjo është me rëndësi dhe kjo është urgjente”.
Ai ka theksuar se SHBA-të nuk e përkrahin asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën.
“Përderisa disa zyrtarë amerikanë tashmë e kanë dhënë këtë qëndrim, edhe unë dua të jem i qartë për pozicionin e ShBA-së: Ne nuk përkrahim asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën, që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-s ose që kërcënon sovranitetin e Kosovës, pavarësinë, multietnicitetin ose institucionet demokratike”.
“Ne në mënyrë strikte kundërshtojmë krijimin e çfarëdo etniteti që i ngjason Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne presim që Kosova të marr përsipër obligimet e veta”.
Ai ka theksuar se janë të gatshëm të japim ekspertizë, përkrahje politike që të sigurojnë që të jetë në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve.
Hovenier ka potencuar se partneriteti me Kosovë është i palëkundur.
Në diskutimin për Asociacionin në ambasadën amerikane, Hovenier ka thënë se biseda e sotme reflekton miqësinë e thellë dhe të përhershme me njerëzit e Kosovës.
Ai shtoi se duan të kuptojnë perspektivën e pjesëmarrësve për Asociacionin, si mund të jetë, si mund të prodhojë për qytetarët e Kosovës por edhe gjithashtu se çfarë kapacitet nuk mund dhe nuk duhet t’i ketë.
Si rrjedhojë e kësaj, ai tha se diskutimi ishte i përqendruar në tri gjëra.
“E para, si mund të funksionojë AKS-ja në praktikë? dhe pjesëmarrësit në këtë takim kanë ngritur çështje të ndryshme, përfshirë pikëpamjet për përgjegjësitë eventuale dhe përkufizime potenciale. E dyta, si mund të funksionojë AKS-ja bazuar në ligjet e Kosovës? Përsëri, dëgjuam mendime të ndryshme, përfshirë marrëveshjet e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-s. E treta, si mund të kontribuojë AKS-ja në zhvillimin ekonomik dhe dhënien e shërbimeve qeveritare në mënyrë efektive për minioritetin serb dhe minotritetet tjera”.
Ai shtoi se demokracia gjithëpërfshirëse përmban shkëmbimin e ideve të ndryshme.
“E kemi organizuar këtë diskutim me akterë të ndryshëm për të dëgjuar mendimet e ndryshme për këtë temë për të gjetur mirëkuptim me qëllimin për të ndihmuar dhe avancuar në obligimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar AKS-së”.
“Kemi dëgjuar nga dora e parë pikëpamjet e pjesëmarrësve në zbatimin e AKS-së dhe si mund të zbatohet kjo në kuptimin që të sigurojë të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik. Këto perspektiva janë me rëndësi për të avancuar rrugën e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik. Pjesëmarrësit në takimin tonë përfshijnë zyrtarë qeveritarë, anëtarë të shoqërisë civile, liderë politik dhe pjesëtarë të komunitetit diplomatik”.