Hovenier për deklaratën e Serbisë dhe të Republikës Sërpska: S’është qëndrimi ynë

Në deklaratën e miratuar në Beograd në një takim në mes të dy qeverive përmendet Kosova si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj perëndimorë nuk pajtohen me Deklaratën e miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Në deklaratën e miratuar në Beograd në një takim në mes të dy qeverive përmendet Kosova si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

“Nuk e kam pasur mundësinë t’i lexoj të gjitha raportet lidhur me ‘Kuvendin gjithëserb’, por e kuptoj që aty përdoret gjuhë që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. E kuptoj që ky është qëndrimi i tyre, por ky nuk është qëndrimi i asnjërit prej nesh, nuk është i SHBA-së, i partnerëve tanë të QUINT-it apo kujtdo tjetër”, tha Hovenier.

Ai theksoi se SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe se SHBA-ja do të qëndrojë prapa këtij qëndrimi “me krenari”.

Gjatë të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb të 8 qershorit, u theksua që ai i mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat e tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në deklaratë thuhet, mes të tjerash, se serbët në Kosovë, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet t’i mbrojnë manastiret, kishat, pronat private, varrezat dhe objektet e tjera të rrezikuara.

Nënshkruesit e Deklaratës i dënuan edhe ato që i konsideruan si kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

Në një pikë tjetër përmendet edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e problemeve.

Hovenier i bëri komentet e tij gjatë konferencës ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, që po mbahet më 10 qershor në Prishtinë, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Në konferencë, ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, i cili kishte udhëhequr Italinë gjatë viteve 1998-2000, tha se Kosovës i nevojitet një marrëveshje me Serbinë.

“Kosova duhet të jetë e qëndrueshme në kërkesat për të drejtat e saj, por të mos bjerë në kurthin e nacionalizmit, mirëpo të mbetet e hapur ndaj diskutimit për një marrëveshje”, tha ai.

D’Alema ishte kryeministër i Italisë në kohën kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë, me qëllim ndaljen e dhunës nga forcat serbe.

Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor, 1999 – një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Nora Gjakova fiton medaljen e bronztë në Paris

Nora Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, që është e treta nga Franca për Kosovën. Gjakova e fitoi duelin...

Distria e fiton medaljen e bronzt në Grand Slamin e...

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris. Xhudistja kosovare fitoi me waz-ari ndaj xhudistet nga...

Shkruan Romeo Çollaku, përkthyesi i romanit “Lugina e lumit Issa”...

Përkthyesi i librit, Romeo Çollaku, ndan me lexuesit historinë e “Lugina e lumit Issa” shkruar nga autori polak Czesław Miłosz. Nga ROMEO ÇOLLAKU Romani Lugina e lumit...

Të fundit nga rubrika