Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në tubimin përkujtimor të 25 – vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe, dhe në përurimin e muzeut të kësaj masakre, ka përkujtuar të gjithë ata që vdiqën në këtë masakër.
“Shumë prej më të dashurve tuaj janë akoma të pagjetur…NATO veproi për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu. Në të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme e ShBA-ve, Madeleine Albright, tha se se e kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë…Aksionet e NATO-s kanë për qëllim të shtojnë paqen dhe sigurinë në Evropë, t’i japin fund mizorive dhe krizave humanitare”, ka thënë Hovenier.
Hovenier ka treguar se si aleancë janë bërë bashkë për të vepruar vetëm pasi ishin shterruar tentativat për të ndalur gjakderdhjen. Ai është shprehur se dëshiron t’i shpreh ngushëllime të të gjithë të prekurve nga kjo ngjarje e tmerrshme.
“Dëshiroj të falënderoj dhe të shpreh mirënjohje për të gjithë ata që kanë punuar për ta jetësuar muzeun dhe memorialin që po e jetësojmë sot. Sepse ky muze është përkujtim i rëndësishëm për viktimat e masakrës. Kam marr vesh që shumë prej jush keni avokuar që të keni këtë muze gjatë 25 vjetëve të shkuara. Është e duhur që ky muze të jetë tamam një dëshmi fizike e ngjarjeve të tmerrshme që kanë ndodhur këtu dhe do të bëj të mundshme që të mos i harrojmë kurrë ato mizori”, ka shtuar Hovenier.
“Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara të Amerikës jemi krenare që kemi mbështetur deri diku përpjekjet tuaja për këtë ndërmarrje, përmes trajnimit të 30 kosovarëve për shkathtësi të intervistimit, etikë të historisë gojore…”, ka shtuar mes të tjerash ambasadori i ShBA-ve në Kosovë.
Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk ishin kursyer as gratë, fëmijët dhe të moshuarit.
Një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë më 25 mars të vitit 1999, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël në afërsi të Rahovecit, forcat serbe kryen një nga masakrat më të mëdha në Kosovë.