Hovenier për ndalimin e dinarit serb: Mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht

Ambasadori amerikan ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se mund të ketë pasoja negative për popullatën serbe në Kosovë, e cila merr pagesa dhe pensione nga Serbia në dinarë

“Ne besojmë se kjo rregullore, mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht… Pra, ajo që po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave, të japin pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullatat e prekura të mos ndikohen negativisht”.

Kështu u shpreh ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në lidhje me rregulloren e re të BQK-së, që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Në një prononcim për medie që pati pas takimit me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismailin, ambasadori amerikan ka theksuar se ky vendim i BQK-së nuk duhet të ndikojë negativisht te qytetarët.

“Së pari, besoj se këtë vendim e ka marrë Banka Qendrore e Kosovës, e cila është institucion i pavarur. Dhe, në fakt, sot në mëngjes pata rastin të takohem me kreun e Bankës Qendrore. Shtetet e Bashkuara absolutisht e pranojnë Kushtetutën e Kosovës. Dhe, në fakt, mendoj se është e qartë se ne ndihmojmë në mbështetjen e procesit të miratimit të tij dhe mbështesim dispozitat e tij. Dhe ne presim që Kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht në këtë rast konkret. Ne besojmë se kjo rregullore (një pjesë e saj) mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht.

Pra, ajo që po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave, të japin pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullatat e prekura të mos ndikohen negativisht”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka thënë se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon me atë se çka kanë kërkuar prej kohësh nga Kosova, por se duhet të zgjidhen disa çështje.

“Njerëzit të cilët kanë marrë pagesa në një mënyrë të caktuar kanë marrëveshje për të marrë pagesa në një mënyrë tjetër, se nuk ka njeri që vuan nga rregullimi. Ne respektojmë absolutisht autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar transaksionet financiare në mbarë Kosovën. Kjo është përgjegjësia e tyre dhe besoj se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon në diçka që ne dhe shumë të tjerë e kemi kërkuar prej kohësh, që është sigurimi i kontrolleve të duhura financiare për të shmangur krimet financiare, pastrim parash, financim terrorizmi, gjëra të tilla. Por ne besojmë se nevojitet kohë, nevojitet periudha e tranzicionit dhe disa çështje duhet të zgjidhen, nga këndvështrimi ynë, duket se nuk janë zgjidhur ende.

Prandaj ne si QUINT kemi kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit për të lejuar realizimin e kësaj pune”, ka shtuar ambasadori amerikan.

Ditë më parë, Bordi i BQQK-së ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme.

Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euroja.

Edhe shtetet e QUINT-it kanë kërkuar pezullimin e zbatimit të kësaj rregulloreje.

“Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUINT-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”, thuhet në njoftim.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika