Hovenier përfundon misionin në Kosovë me homazhe para shtatores së Rugovës: Po largohem si një mik edhe më i madh se kur erdha

Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, pas takimit lamtumirës në Presidencë, në përmbyllje të mandatit të diplomatit amerikan në Kosovë, bënë homazhe te shtatorja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.Në një deklarim para mediave, presidentja Osmani falënderoi ambasadorin Hovenier për kontributin e tij për Kosovën qysh prej viteve ’90.

“Ambasadori po e përfundon jo vetëm misionin e tij në Kosovë, por edhe karrierën e tij të bujshme si diplomat, karriera e të cilit është lidhur në jo vetëm një rast me Kosovën. Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pandalshëm qysh para 25 vitesh si një diplomat që merrej me Kosovën duke kontribuar për lirinë tonë, në veçanti në mbrojtjen e së vërtetës. Pastaj, [ka kontribuar] edhe si një diplomat i angazhuar në ekipin e Presidentit Ahtisaari kur u propozua pavarësia për republikën tonë dhe në gjithë procesin e shtetndërtimit deri tek misioni i tij si ambasador”- u shpreh Osmani.

E para e shtetit teksoi se ka qenë kënaqësi të bashkëpunojë në këto 3 vite, “në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, dhe mbi të gjitha në mbrojtjen e themeleve të kësaj aleance ekzistenciale për popullin tonë”.

Ajo shtoi se ambasadori, veprimin e parë publik zyrtar e pati vendosjen e një kurore lulesh tek shtatorja e ish presidentit Ibrahim Rugova dhe me po të njëjtin veprim po përfundon këtë mision.Osmani potencoi edhe atë që sipas saj dëshmoi ish presidenti Rugova në lidhje me aleancat dhe ecjen përpara të shtetit.

“Po e përfundojmë sot këtë takim lamtumirës me po të njëjtin veprim duke nderuar atin themeltar të republikës tonë, njeriun i cili dëshmoi se mbrojtja e sovranitetit dhe aleancave shkojnë bashkë dhe janë të ndërlidhura shumë ngushtë me njëra tjetrën dhe dëshmoi se kur ke miq të fuqishëm pranë, kur ke miqësi që janë të bazuara në vlera, atëherë dhe populli i Kosovës edhe shteti sovran në mbrojtje të integritetit territorial ecën përpara”- theksoi presidentja.

“E falënderoj ambasadorin për kontributin e tij në mbrojtjen e këtyre vlerave, për zërin e fuqishëm në mbrojtjen e shtetit të pavarur, multietnik dhe në kufijtë aktual”- shtoi më tej presidentja.Derisa, ambasadori Hovenier tha se e ka parë si shumë të përshtatshme që të përfundonte misionin me të njëjtin veprim që e nisi duke nderuar ish presidentin Ibrahim Rugova dhe duke potencuar respektin që kishte për të.

“Veprimi i parë publik dhe zyrtar ishte vënia e kurorës bashkë me presidenten këtu tek Rugova dhe e ndjeva si shumë të përshtatshme që në veprimin e fundit zyrtar të bëja këtë. E bëjë këtë në kujtim të presidentit Ibrahim Rugova … Këmbëngulja e tij për të drejtat dhe mbrojtjen e të gjithë njerëzve në Kosovë, për një shtet sovran, demokratik, multietnik dhe të begatë. Këmbëngulja e tij për të ndjekur këto qëllime në një mënyrë me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar. Pata kënaqësinë ta njihja atë si një diplomat shumë i ri në atë kohë, dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë,” u shpreh Hovenier.

Hovenier theksoi se SHBA është e përkushtuar në partneritet me Kosovën dhe dëshiron të shoh Kosovën duke avancuar.

Ai madje kujtoi edhe gjendjen e vendit në vitet e 90-ta, gjatë pavarësisë dhe atë aktuale, që sipas tij, “nuk ka dyshime për progresin e bërë’.

“Kur mendoj për atë se si ishte ky vend kur fillova të punoja në fund të viteve ’90; kur mendoj se si ishte në kohën e shpalljes së pavarësisë; kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për progresin dhe për kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, multietnik, të begatë dhe të suksesshëm.”

Ai madje shtoi se ka qenë detyra e ëndrrave që të ketë ketë mision në Kosovë.

“Ka qenë kënaqësi dhe nder për mua që të luaja një rol të vogël në mbështetjen e këtij vizioni. Ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës nga sa isha kur erdha,” përfundoi ambasadori.

Jeffrey Hovenier ishte betuar si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, më 30.12.2021 – duke pasuar në këtë pozitë ambasadorin, Philip Kosnett.

Para largimit nga Kosova, ai ka zhvilluar takime lamtumirëse me liderët institucional dhe partiak.  Më 19.12.2024, në ambientet e Ambasadës amerikane në Prishtinë është organizuar edhe pritja lamtumirëse e tij./Kallxo

Shija e redaktorit

Osmani dekreton 24 prokurorë, gati gjysma gra

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës(KPK), ka dekretuar 24 prokurorë të rinj, ku pothuajse gjysma prej tyre janë...

Osmani uron mirëseardhje Starlink-ut në Kosovë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka shkruar Osmani në...

Elon Musk njofton: Starlink tashmë është edhe në Kosovë

Starlink, platforma e internetit satelitor të Starlink Services, LLC, një degë në pronësi të plotë të kompanisë amerikane të hapësirës ajrore SpaceX të Elon...

Të fundit nga rubrika