Hovenier: Qeveria nuk i koordinoi veprimet e së premtes me ShBA-në

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për veprimet e ndërmarra të premten.

Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës kanë hyrë me ndihmën e Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale.

Komunat Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, janë të banuara me shumicë serbe, dhe banorët lokalë atje kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër ndërtesa, të cilat funksionojnë sipas sistemit serb.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Hovenier, shkruan REL.

Hovenier e ka cituar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kur ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë janë duke ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk iu është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona”, ka vijuar ai.

Hovenier deklarohet për rritjen e gatishmërisë së ushtrisë së Serbisë

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, përbën kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan, Hovenier, ka thënë se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat janë marrëdhëniet e tensionuara – i mobilizojnë forcat e tyre.

“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, prandaj po kërkojmë që ato të adresohen”.

ShBA: Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”.

Sipas tij, ulja e tensioneve e kthen më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për këtë Marrëveshje në shkurt të këtij vitit në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit në mars.

“ShBA-ja pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës”

Në takim me gazetarët në Prishtinë, ambasadori amerikan Hovenier ka folur edhe për disponimin aktual të ShBA-së ndaj Kosovës.

“Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”.

Hovenier: ShBA-ja i ka dy kërkesa për Kosovën

Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative apo ndërtesa tjera publike për kryerje të funksioneve të tyre”, ka thënë Hovenier, duke përmendur shembullin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në lokacione alternative.

“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”.

Sipas Hovenierit, marrja e këtyre dy veprimeve do të ndihmojë në ulje të tensioneve.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika