Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, u është bashkuar institucioneve të Kosovës në ndezjen e qirinjve, për nder të policit të rënë heroikisht në detyrë pas një sulmi terrorist nga një grup ushtarak i serbëve.
“U bashkuan përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar në një ceremoni të ndezjes së qirinjve për nder të pjesëtarit të Policisë së Kosovës Rreshter Afrim Bunjaku, i vrarë sot në krye të detyrës”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Kryediplomati amerikan ka përfunduar duke iu shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të policit.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadori amerikan, kryetari i komunës së Prishtinës, e policë të tjerë kanë bërë homazhe para Stacionit Policor Qendër në Prishtinë, ku kanë bërë ndezjen e qirinjve për policin e rënë sot në krye të detyrës, Afrim Bunjaku.
Njësia Speciale tanimë ka përfunduar aksionin në Manastir të Banjskës, duke arrestuar dhjetëra sulmues terroristë, të cilët janë dërguar në stacionin policor në jug.
Aty ende po qëndron policia. Ndërkohë, është larguar ekskavatori i cili ka hapur edhe rrugën që çon te manastiri.