Hovenier: Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në marrëveshjen për targat

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka vlerësuar qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi me arritjen e marrëveshjes për targat midis Kosovës dhe Serbisë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier





Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për targat midis Kosovës dhe Serbisë.

Me anë të një postimi në Twitter, Hovenier e ka vlerësuar qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi me arritjen e marrëveshjes midis dy palëve.

“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Hovenier.

Të mërkurën e 23 nëntorit, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për targa në Bruksel.

Këtë e ka bërë të ditur kryediplomati evropian, Josep Borrell, përmes një postimi në Twitter.

“Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka thënë Borrell.

Kjo marrëveshje erdhi pas disa orësh negociata në Bruksel në mes të dy kryenegociatorëve të dy vendeve, atij të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së 23 nëntorit, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive sa i përket propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

Çfarë i parapriu kësaj marrëveshjeje?

Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi tetëorësh në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me çështjen e targave i cili rezultoi pa marrëveshje.

E për këtë takim që rezultoi pa marrëveshje, Borrell e ka lënë fajtore palën e Kosovës.

Ndërkaq, Kurti ka thënë më 23 nëntor se arsyeja kryesore pse ka shkuar në Bruksel dy ditë më parë ka pasur të bëjë me nisjen e diskutimit për marrëveshjen finale, bazuar në planin franko-gjerman, dhe jo me diskutimin për targat.

Sipas tij, marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë pjesë e ftesës së BE-së, por që më pas “është braktisur dhe është kaluar vetëm te çështjet aktuale”.

Mirëpo, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Më 22 nëntor, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.

Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

ShBA-ja mirëpret marrëveshjen për targat





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika