Analisti Ylli Hoxha, sa i përket projektligjit aktual për tekstet shkollore, ka thënë se nuk ka kujdes në botimin e teksteve shkollore.
Hoxha në emisionin “Debat Plus”, ka thënë se në tekstet shkollore ka terme të gabuara që nuk përshtaten me grupmoshën.
“Duhet të ketë procesi i botimit një sitë pedagogjike, duhet të ketë kujdes a është formulimi për moshat e dhëna”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, nëse dikush është bërë recensent i një libri, duhet të bëhet publik ai dhe të bëhet publik autori.
Sepse me anë të kësaj, siç thotë ai, kontrollohen recensentët, duke i detyruar të kenë publike recensurën e tyre dhe përgjigjet e autorëve publikë.
Sipas Hoxhës, te librat shkollorë vërehet një mungesë e kujdesit pedagogjik.
Qehaja: Recensentët kanë qenë dhe mbeten të ndikueshëm
Drejtuesi i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka thënë se recensentët publikë duhet të kalojnë në trajnim dhe certifikim, sepse sipas tij, recensentët janë të ndikuar nga shtëpitë botuese.
Sipas Qehajës, nuk ka integritet dhe kredibilitet te profesionalizmi i recensentëve.
Ndërsa, analisti Visar Ymeri ka thënë se është dështim i mësuesit nëse ai ose ajo bazohet vetëm në tekste shkollore.
“Forma qysh shpjegohet një lëndë është demode me atë që përballen nxënësit jashtë orarit të mësimit”, ka thënë Ymeri.
Ndërsa, Arbnor Pajaziti, autor i teksteve të fushës “Jeta dhe Puna”, ka thënë se nuk është autor i vetëm, por është së bashku me një grup autorësh që hartojnë tekste.
Ai ka thënë se në suaza ku punohet, ka pasur bashkëpunim të mirë në mes të autorëve për të hartuar tekste cilësore.
“Kemi arritur që të arrijmë të bashkëpunojmë mes vete, në suaza të vendit ku punojmë të bëjmë disa tekste cilësore”, ka thënë Pajaziti.
Sipas Pajazitit, komunikimi shtëpi botuese dhe autor është mjaft i gjatë, sepse sipas tij, për të hartuar tekste shkollore duhet që personi të ketë kompetencë të asaj fushe.
“Jemi të gjithë kompetentë, të gjitha tekstet që i hartojmë janë të krahasueshme me tekstet në rajon”, ka theksuar Pajaziti.