Është paralajmëruar tash e disa ditë që të dielën e dy prillit do të marshohet në nder të ish-krerëve të UÇK-së, një ditë para fillimit të gjykimit të tyre në Hagë.
Ky marsh gjeti përkrahje masive në Republikën e Kosovës e, njëherit, sipas Eliza Hoxhës, njëra ndër ideatoret e “Liria ka emër”, është edhe arsyeja e mbajtjes së një adresimi për media një ditë para realizimit të marshit. Ajo ka shprehur falënderimet e saj për të gjithë mbështetësit të cilët i listoi një e nga një.
“E ndiejmë obligim moral që t’i falënderojmë të gjithë pa dallim, të gjitha kategoritë e shoqërisë sonë, të cilat na kanë mbështetur fuqishëm për realizimin e këtij manifestimi, për të gjithë ata që janë solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së, të cilët aktualisht po mbahen në Hagë”, ka deklaruar Hoxha, gjersa ka falënderuar organizatat e veteranëve, familjeve të dëshmorëve, indvalidëve të luftës, shoqatat e të burgosurve, të familjarëve të të pagjeturve, të të mbiejtuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, partitë politike, deputetët…të gjitha bashkësitë fetare pa dallim, tifozërit sportive, forumet rinore, organizatat studentore e të tjerë.
Hoxha ka thënë se mbështetja e parezervë tregon nevojën e mbrojtjes së historisë.
“Kjo mbështetje e parezervë tregon peshën dhe nevojën për të dalur në mbrojtje të historisë sonë të lavdishme e cila sot është e rrezikuar nga iterpretimet e reja. Ne besojmë në drejtësinë…me shpresën se asnjëherë nuk do të instrumentalizohet nga politika”, ka deklaruar ajo, gjersa ka theksuar se “e vërteta e UÇK-së është e vërteta e secilit prej nesh”.
Marshi u mbështet edhe nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e cila në postimin e saj përmendi vetëm ish-deputetin, Rexhep Selimin. Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka ende ndonjë reagim.
Hoxha thekson se ftesa ishte për të gjithë pa dallim, gjersa ka ftuar edhe një herë që të gjithë, pa dallim.
“Ne kemi bo ftesë çdo ditë besoj…ftesa ka qenë për të gjithë pa dallim dhe ne jemi të lumtur që të gjitha partitë politike, pothuajse të gjitha, janë bashkuar marshit për drejtësi dhe iu bëj ftesë edhe atyre që ende nuk janë lajmëruar ose kanë hezitimet e tyre që të na bashkohen dhe të jemi bashkë atë ditë për historinë tonë, për të vërtetën tone”, ka deklaruar ajo.
Prezent në fjalën për media ishte edhe njëri ndër ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli. Ai tha se “këtë të vërtetë duhet ta ruajmë gjithmonë, sepse është e vërteta e çdonjërit, është e vërteta e Kosovës së djeshme, së sotme dhe e Kosovës së nesërme”.
3 prilli është data e fillimit të gjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, akuzohen për burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave. Për të gjitha akuzat, ata janë deklaruar të pafajshëm.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.