Analisti Ylli Hoxha ka thënë se mbrojtja e të akuzuarve në Hagë ishte impresive.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, ai tha se të njëjtit lanë përshtypje në mbrojtjen e tyre, duke konstestuar ndërlidhjen e të akuzuarve me krimet e pretenduara.
“Mbrojtja mendoj që ishin impresivë, të gjithë përfaqësuesit e mbrojtjes. Mbrojtja e ka nënvlerësuar zingjirin komandues të UÇK-së, pa përjashtim…është konstestuar përfshirja e drejtpërdrejtë e secilit prej të akuzuarve. Dy koncentrime i ka pasur mbrojtja. Nën 1, për ta treguar që zingjiri komandues i UÇK-së nuk ka qenë deri në atë masë sa për ta lidhur secilin prej tyre si komandues dhe krimet të cilat mund të kenë ndodhur nëpër zona…gjithmonë kanë thënë se kanë ekzistuar krimet, por e kanë kontestuar ndërlidhjen e të treve”, ka deklaruar Hoxha.
Ndër të tjera, Hoxha ka deklaruar se Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimin theksuan në fjalën e tyre se disa nga deklaratat ishin jashtë konteksteve të tyre, gjë e cila u vlerësua si kundërpërgjigje e tyre nga ana e Hoxhës, ndaj Prokurorisë.
Ai tha se fjalimet e të dyve ishin të qytetëruara, dhe se të njëjtat shuan përpjekjet e Prokurorisë.
“Fjalimi i Thaçit ka qenë bukur shumë i qytetëruar, përparimtar. Fjalimi i zotit Selimi ka qenë më shumë justifikues, do të thotë duke përshkuar një situatë ku ai është sjellë para aktit të luftës…Në esencë mendoj që deklaratat e të dyve dhe mungesa e deklaratës së Veselit, më shumë pati për qëllim një pjesë të fjalimit të të dyve që pak a shumë është një tërhjekje prej asaj çka u portretizua një ditë më herët e që ishte një konflikt politik në mes të dyve. Pra, edhe zoti Selimi edhe Thaçi sot e theksojnë se disa deklaratat janë nxjerrë nga kontekste të caktuara të ballafaqimit politik dhe ato nuk e kanë vlerën e fakteve historike dhe që të dy e përsërisin. Mendoj që kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj asaj që Prokuroria u përpoq të bënte më herët, pra të ngjallë njëfarëlloj ndërskamce në mes të akuzuarve që mund të shkonte dhe më tutje”, ka deklaruar ai.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur gjatë seancës së gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Thaçi është deklaruar i pafajshëm teksa ka thënë se i vjen keq që për pafajësinë e tij nuk mund të dëshmojnë disa figura të larta si, Ibrahim Rugova, Madeleine Albright, Fehmi Agani, Richard Hoolbroke, Adem Demaçi e të tjerë.
Ndër të tjera, ai ka thënë se lufta u është imponuar dhe e kanë bërë këtë sikurse do ta bënte çdo popull liridashës.
Nga ana tjetër, avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, ka thënë se Prokuroria speciale, e ka rritur numrin e viktimave.