Më shumë se një muaj nga sulmi terrorist i 24-të shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, flet drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në emisionin KallxoPërnime.
Hoxha thotë se reagimi i Policisë së Kosovës ndaj këtij sulmi ishte i shpejtë, efikas dhe shumë i vendosur.
“Nuk kisha thonë që kanë mundur me na zonë Policinë e Kosovës apo institucionet e Kosovës në gjumë, ata kanë arritur të futen deri te një pjesë e caktuar e territorit brenda në Kosovë, mirëpo reagimi i Policisë ishte i shpejtë, ishte efikas edhe shumë i vendosur. Kjo mund ta dëshmojë këtë që nuk na kanë zënë në befasi, sikur neve të ishim kanë flejtur në brendësi të territorit të Kosovës pa përgatit, kishim mundur me thonë që Policia dhe institucionet e Kosovës janë gjetur në gjumë”, ka thënë Hoxha.
Drejtori i PK-së ka theksuar se grupi terrorist nuk kanë arritur as 5% të qëllimeve të tyre që t’i arrijnë dhe ka ritheksuar reagimin e shpejtë të organeve të rendit ndaj këtij sulmi.
“Në këtë rast reagimi ka qenë tepër i shpejtë dhe këta nuk kanë arritur as 5% të qëllimeve të tyre t’i arrijnë, ata kanë arritur me grumbullu deri në fshatin Banjskë, mirëpo qëllimi i tyre ka qenë shumë më i madh sesa kaq. Sic kam thënë edhe më parë në konferencë për media, qëllimi i tyre ka qenë që të vendosin 37 pozicione brenda Kosovës në pjesën e veriut. Të gjitha ato makina që ne i kemi sekuestruar e që ka pasur armatim brenda makinave, kanë pasur detyra dhe pozicione të caktuara secili automjet ka pasur një numër që ka përkuar me atë të pozicionit që e ka pasur në hartë se ku ka pasur me u vendos” tha ai.
“Pikat janë paksa të ndjeshme me i tregu dhe dëshmu. Këta kanë dashur me vendosë [kufirin] fillimisht në Banjskë, në rrugën për në Leposaviq e Zveçan dhe pastaj rrugës për Izvor, rrugës për Zubin Potok këto kanë qenë pozicionet për me u sulmu Policia e Kosovës në fazën fillestare”, ka shtuar ai.
Hoxha ka thënë se ka pasur edhe grupe të tjera që do t’iu bashkoheshin terroristëve, pasi siç thekson ai, janë gjetur edhe 115 palë uniforma të gatshme.
“Ka pasur grupe tjera që do të mund t’iu bashkoheshin këtij grupi terrorist, sepse kemi gjetur edhe 115 palë uniforma të gatshme që kanë mundur të jenë të pjesëtarëve tjerë me iu bashkëngjit, po ashtu qëllimi ka qenë që posa të vendosin barrikada në Banjskë dhe udhëkryq që shkon për Izvor, që do ishte korridor i lirë për me futë qoftë njerëz, qoftë armatime apo furnizime të tjera”, ka thënë ai.