Hoxha: Shumica e mjeteve shpërthyese të sekuestruara janë prodhim i Serbisë, 15 granata janë të vitit 2021

Në konferencën për media pas identifikimit të veturës me targa të Serbisë, brenda së cilës kishte sasi të madhe armatimi, drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha ka thënë se shumica e mjeteve të sekuestruara janë prodhim i Serbisë, dhe se nga totali i granatave të sekuestruara, 15 prej tyre janë prodhim i vitit 2021

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në konferencën për media më 24.06.2023. Foto: RTV Dukagjini

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media, ka thënë se pas një pune intensive, Njësitë e Specializuara të Kosovës në bashkëpunim me Shërbimet Inteligjente të Kosovës kanë siguruar informacione se strukturat ilegale dhe grupet kriminale në veri të vendit kanë deponuar një sasi të madhe të armatimit në Zveçan, sipas tij me qëllim që të njëjtat të përdoren për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve dhe KFOR-it.

Hoxha për veturën në Zveçan, në të cilën u gjet sasi e madhe e armatimit, tha se ka qenë e parkuar ndërmjet objekteve të banimit kolektiv, në rrugën “Obiliqi”, lagjia “Kolonia” në Zveçan.

“Menjëherë janë marrë të gjitha masat e sigurisë nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës për sigurinë e qytetarëve në atë zonë, për shkak se kjo sasi e armëve dhe mjetëve shpërthyese paraqet rrezik të jashtëzakonshëm për banorët e asaj lagjeje. Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore për t’i sqaruar rrethanat e këtij rasti dhe ka arritur deri tek informacionet se vetura ka qëndruar për një kohë në atë lokacion, duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofale të mundshme për banorët, qytetarët që e frekuentojnë atë zonë”, ka shtuar Hoxha.

Drejtori i Policisë së Kosovës ka shtuar tutje se shumica e mjeteve të sekuestruara janë prodhim i Serbisë, duke shtuar se nga totali i granatave të sekuestruara, 15 prej tyre janë prodhim i vitit 2021.

“Nga ekzaminimi preliminar i ekspertëve të eksplozivëve të Policisë së Kosovës ekziston dyshimi i bazuar se lloji i njëjtë i granatave është përdorur gjatë sulmit ndaj KFOR-it më 29.05.2023 në protestën e dhunshme në Zveçan”, ka theksuar ai.

Në konferencë, Hoxha përveç veturës Audi A6 tregoi edhe mjetet e tjera shpërthyese që u sekuestruan.

“Nëntë zolla, dy lansues, dy osa, një predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, dy mbushës të barutit, dhjetë armë të gjata automatike, një revole, një shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, 5 karikatorë të armëve të shkurtra, 5 mijë e 756 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymosëse, 5 thika ushtarake, 11 jelekë antiplumbë dhe taktikë, 9 unifroma ushtarake, një dylbi, maska kundër helmimit nga gazi, një dyshek ushtarak për nevoja te snajperëve, telefonë, tre radiolidhje dhe një sasi e narkotikëve”, ka theksuar drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media, mori pjesë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili deklaroi se në veturën e gjetur rreth 100 metra larg Zveçanit u gjendën armë automatike, municione, uniforma, shok-bomba dhe çanta ushtarake. Të njëjtat me simbole të “Brigadës së veriut” dhe njësiteve ruse.

“Për më tepër tash kur ditën e djeshme, veprimet profesionale dhe puna serioze e Policisë së Kosovës dhe AKI-së shmangën një sulm të  planifikuar terrorist ndaj Republikës së Kosovës. Të dashur qytetarë, siç edhe jeni njoftuar, mbrëmë u identifikua një makinë me targa të Beogradit, rreth 100 metra larg komunës së Zveçanit në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimit dhe municioneve të ndryshme përfshirë eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme municionesh, uniforma, shok-bomba dhe çanta ushtarake. Siç edhe mund t’i shihni këtu, ka çanta me shenja të informacionit ilegal kriminal e terrorist “Brigada e veriut’, shenja dalluese të njësiteve ruse, radiolidhje me ato të njëjtat të konfiskuara të Aleksandër Filopoviqit në komunën e Leposaviqit. Qytetarët e dinë se ai ka qenë ish-shef i Operativës në Drejtorinë Rajonale të veriut, i dekoruar nga Vuçiq.”, ka thënë Sveçla.

Ky i fundit ka deklaruar se ky rast paraqet një tjetër dëshmi të qëllimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“E gjithë kjo është edhe një dëshmi e radhës se presidenti serb, Vuçiq, përmes grupeve dhe formacioneve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë. Ky konfirmon informacionet e pranuara nga institucionet e sigurisë se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”, ka thënë tutje ai.

Sveçla i ka bërë thirrje Serbisë të tërhiqet nga veprime të kësaj natyre e njëherit, edhe akterëve ndërkombëtarë për reagim.

“Ne i bëjmë thirrje Beogradit zyrtar të tërhiqet nga këto akte kriminale e tash edhe terroriste dhe të ndalojë tentativat dhe dëshirën për eskalim në vendin tonë. Gjithashtu, i bëjmë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar të reagojë ashpër ndaj këtyre ngjarjeve dhe të dënojë sjelljen e dhunshme e terroriste të Serbisë ndaj Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika