Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka thënë që Qeveria Kurti nuk duhet të prodhojë lajme, por të prodhojë politika.
Hoxhaj në seancën e së enjtes së 30 qershorit, drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se ” Të gjitha institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare të BE-së, duhet t’iu dërgohet me shkrim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave”.
Sipas tij, samiti i fundit i BE-së ishte samit i dështimit për Kosovën.
Hoxhaj, ndër të tjera, ka thënë se problem tjetër është edhe mospjesëmarrja e Kosovës në samitin e fundit të NATO-s.
“Në samitin e fundit të NATO-s nuk u ftuam teknikisht të jemi aty, kjo Qeveri duhet të lëvizë prej prodhimit të lajmeve në prodhim të politikave”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërsa ai ka kërkuar nga Qeveria dhe kryeministri Kurti, që të mos të merren me probleme teknike, por me çështje që kanë të bëjnë me shtetndërtimin e Kosovës.
“Tabela kryesore për të cilën duhet të luftojë Republika e Kosovës është anëtarësimi në OKB, atje duhet ta ngrisim ne tabelën dhe aty varet se si sillemi reciprocikisht me Serbinë”, ka shtuar Hoxhaj.
Ndërsa kryeministri Kurti, ka thënë se nga ana e tij, as në fushatë, as në detyrë, nuk ka pasur premtim me afate në lidhje me heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ndërsa sa i përket programit të NATO-s për Partneritetin për Paqe, ai ka thënë se Kosova ka marrë pjesë në DEFENDER-Europe 21 në vitin e kaluar me 330 ushtarë, në mesin e 16 vendeve mikëpritëse, ndërsa do të marrë pjesë në Defender Europe 23.
Sipas Kurtit, në aspektin ndërkombëtar, Kosova i plotëson të gjitha kërkesat dhe nevojat si kontribuese për sigurinë globale.
Pas kërkimit për veprim nga ana e kryeministrit Kurti për liberalizimin e vizave, ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Ajo ka thënë se kryeministri Kurti nuk po merr përgjegjësi për një proces të cilin sipas saj, Kurti e kishte “kontaminuar komplet narrativën për shtetin e Kosovës”.
“Po i shoh deklaratat e tij të fundit që po deklarohet që nuk është në anën e Kosovës tashmë që të bëjë diçka shtesë në raport me vizat, ndërkohë kryeministër partia e juaj në opozitë ka ndërtuar narrativin në raport me Kosovën si shtet jofunksional dhe në kohën kur ne i kemi përmbushur të gjitha kërkesat ju keni kërkuar dorëheqjen e qeverisë, sot po thoni që nuk kam asgjë shtesë të them, dhe nuk po merrni përgjegjësi për një proces për të cilin e keni kontaminuar komplet narrativën për shtetin e Kosovës”, ka thënë Deliu.
Ajo e konsideron padrejtësi të madhe që qytetarët e Kosovës “po vuajnë” për një proces për të cilin Kosova i ka kryer të gjitha obligimet në qeveritë paraprake”.
Lidhur me këtë ka replikuar edhe i pari i ekzekutivit, teksa ka thënë se “në të kaluarën imazhi i Kosovës nuk ka qenë i mirë”.
Dhe sipas tij, kjo mund ta penalizojë Kosovën në këtë aspekt.
Megjithatë, Kurti shtoi se pavarësisht që ka pasur më shumë se dyfish të kritereve për të plotësuar krahasuar me vendet fqinje, Kosova i ka plotësuar të gjitha ato.
“Ajo çfarë mund të thuhet në të kaluarën është se imazhi i Kosovës nuk ka qenë i mirë. Ka skepticizma të ndonjë ministri të brendshëm të ndonjë vendi anëtar me të cilin po merremi”, është shprehur Kurti.
Megjithatë, sipas tij, “nuk është një gjë për të cilin vendimi merret në Prishtinë”.