Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, po qëndron në Bratisllavë, në Forumin GLOBSEC 2022, ndërsa gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Ivan Korcok, ai i ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës(KiE).
Nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, të premten, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me ministrin e jashtëm të Sllovakisë, me të cilin kanë biseduar për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Një takim i shkurtër me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Ivan Korcok. Si nënkryetar i Kuvendit të Kosovë, nga opozita, kërkova mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës! Kosova është vendi më demokratik në Ballkan dhe i përket Këshillit të Evropës”, ka shkruar Hoxhaj.
Ndryshe, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka udhëtuar për në Sllovaki për të marrë pjesë në Forumin e Bratisllavës GLOBSEC 2022, që do të mbahet nga data 2 deri më 4 qershor, është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit.
“Krahas pjesëmarrjes në panelin e diskutimit ‘Tani ose kurrë- duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor’, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe me liderë të vendeve të tjera, pjesëmarrës në këtë forum”, thuhet në njoftim.
Në këtë forum pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Forumi i Bratislavës GLOBSEC 2022, është një ndër konferencat më të rëndësishme strategjike ndërkombëtare.
Forumi do të shërbejë si një platformë për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore për t’iu bërë thirrje për veprim vendeve të Perëndimit dhe partnerëve të tyre demokratikë anembanë globit.