Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë Kurti duke thënë se për katër vjet qeverisje nuk ka siguruar asnjë njohje apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Çfarëdo që nuk arrihet gjatë tronditjes nga disfata, është gjithnjë e më e vështirë të arrihet më vonë! Disfata e politikës së jashtme të Kosovës është e matshme sepse për katër vite të një mandati të plotë nuk ka siguruar asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim të vetëm”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Hoxhaj ka shkruar se ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, po bën vizita të shumta dhe i ka vizituar ato shtete që e kanë njohur Kosovën, teksa ka shtruar pyetjen se çfarë funksioni është duke e kryer ministrja e Jashtme e Kosovës.
“Sot po e shoh ministrin e Jashtëm serb në vizitë në Tonga, shtet që e ka njohur Kosovën gjatë mandatit tim, por çka më brengos është që ai gjatë tërë verës e deri më sot, ka vizituar shumë shtete që e kanë njohur Kosovën nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine dhe fatkeqsisht, do të shihen efektet e vizitës së tij! Opinioni publik nuk e di se ku është dhe çfarë bënë ministrja e Jashtme e Kosovës?”, tha ai.