Pas nënshkrimit të një dokumenti të quajtur “plani për konsultime” për politikë të jashtme, midis ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe atij të Serbisë, Nikolla Selakoviq, ka reaguar ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Hoxhaj, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se ka vitë të tëra që i ka paralajmëruar miqtë e tij në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë.
Ndonëse BE-ja ka shprehur shqetësimin për forcimin e raporteve midis dy vendeve, Hoxhaj ka theksuar se toleranca e BE-së ka çmimin e saj.
“Për vite me radhë i kam paralajmëruar miqtë e mi në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë, në vend të BE-së. Toleranca e BE-së tani ka kostot e saj. Serbia po mban anën me Rusinë për të luftuar Ukrainën dhe Kosovën duke nënshkruar protokolle me Kremlinin në mes të luftës. Koha për të vepruar!”, ka shkruar Hoxhaj.
For years I have warned my friends in Europe about the risks to WB & EU of Serbia’s FP alignment w/Russia, instead of the EU. #EU tolerance now has its costs. Serbia is taking sides w/ Russia to fight #Ukraine & #Kosovo by signing protocols w/ Kremlin amid the war. Time to act! pic.twitter.com/z78cWLdkeA
— Enver Hoxhaj (@Enver_Hoxhaj) September 26, 2022
Ndryshe, më 23 shtator, Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar këtë dokument, për të cilin zëdhënësi i BE-së, për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se kjo marrëveshje ka ardhur në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin e saj ndaj Ukrainës.
Ai ka potencuar se Rusia çdo ditë “po shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara po organizon referendume ilegale”.
“Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, me të cilën pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, atëherë kjo është shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë nuk mund të jenë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht”, ka thënë Stano.
Sipas tij, Serbia ka deklaruar se qëllim strategjik ka integrimin në bllokun evropian.
“Ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përafrimin me BE-në në çështje të politikës së jashtme”.
“BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me të gjitha vendet anëtare dhe partnerët, përfshirë edhe vendin kandidat, Serbinë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm në Ukrainë”, shtoi Stano.
Dokumenti është nënshkruar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Selakoviq ka deklaruar se Plani i Konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është nënshkruar që nga viti 1996, çdo dy vjet”, duke theksuar se bëhet fjalë për “çështje teknike siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”.
Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia dhe Rusia kanë nëshkruar që nga 24 shkurti, kur nisi agresioni rus në Ukrainë.