25 vjet liri

Kosova sot, 12 qershor, shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit

Sot [e mërkurë] më 12 qershor, Kosova shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit.

Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, do të ketë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh.

Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë.

Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.

Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-së, forcat ushtarake dhe paramilitare të ish-RFJ-së e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile. Sipas shënimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, rreth 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive. Dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatëve vetëm në dy javët e para të bombardimeve çoi në jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri.

Më 1 qershor 1999, Beogradi kishte pranuar parimet e G-8-shes. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e ish-RFJ-së e kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë.  Për dallim nga plani i Rambujesë, trupat e NATO-s nuk do të kishin mundësi të hynin në territorin e ish-Jugosllavisë, por vetëm në Kosovë.

Kushtet e vendosjes së një pranie ushtarake ndërkombëtare, si dhe qëllimet e saj u përcaktuan në Marrëveshjen Tekniko – Ushtarake ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë (KFOR), dhe të qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999.

Ekzistojnë argumente “pro” dhe “kundër” intervenimit të NATO-s më 24 mars 1999 në Kosovë. Ata që janë kundër argumentojnë se intervenimi nuk ishte i pastër nga pikëpamja ligjore, për shkak se nuk bazohej në ndonjë rezolutë eksplicite të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kurse, ata që miratuan ndërhyrjen e arsyetuan me faktin se u shpëtua një popull i tërë nga spastrimi etnik dhe gjenocidi.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte krijuar ndasi edhe brenda vendeve anëtare të NATO-s, në lidhje me ekzistimin e së drejtës së ndërhyrjes humanitare në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.
Bombardimet e NATO-s bënë që Serbia të zbrazej duke pranuar ta nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.

Më 18 mars 1999 përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambouillet.

Por Slobodan Milosheviqi e refuzoi marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare në Rambouillet, pavarësisht paralajmërimeve për bombardime për ta ndalur fushatën sistematike kundër popullatës civile në Kosovë.

Refuzimi i Milosheviqit që të firmosë marrëveshjen solli operacionin ushtarak “Allied Force”.

25-vjetori i çlirimit të Kosovës, FSK-ja dhe Policia e Kosovës parakalojnë në shesh

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika