Një 26-vjeçar ka humbur jetën në mbrëmjen e së dielës në Ferizaj, pasi dyshohet se ka rënë nga tarraca e katit të tretë të një banese.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “At Nikë Prela”, ndërsa vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Mbrëmë rreth orës 19:45 kemi pranuar një informatë se në rrugën ‘At Nikë Prela’ në Ferizaj, një person R.K ( M/K) 26-vjeçar ka rënë nga terasa e katit të III-të një objekti banesor në tokë dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e të cilit është konfirmuar nga mjekët në vendin e ngjarjes”, ka thënë Veseli.
Tutje, thuhet se përveç policëve të rendit, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar kanë nisur hetimet.
“Nga hetimet e para mësohet se viktima derisa ishte në ballkon ka rënë bashkë me mbajtëset e ballkonit në tokë. Janë njoftuar edhe inspektorët e punës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes”.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML –Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”.