Humolli pro nismës ligjore të opozitës për pensionet e policëve

Nisma ligjore për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësëve të Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore është kundërshtuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq, pro këtij projektligji sikurse deputetët e opozitës, ka votuar deputeti i kësaj partie, Fatmir Humolli

Mbledhja në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes Foto: Kosovapress

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka shqyrtuar dhe miratuar në parim Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.

Edhe pse nisma ligjore e PDK-së është kundërshtuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pro sikurse deputetët e opozitës, ka votuar deputeti i kësaj partie, Fatmir Humolli, raporton kp.

Ai ka theksuar se është mirë që Komisioni të jetë në funksion të detyrës së tij.

Ndërsa bashkëpartiakët e tij, të cilët s’e kanë mbështetur Projektligjin, kanë theksuar se Qeveria do të sjellë Projektligjin për pensionim të parakohshëm, ku sipas tyre, do të adresohet edhe çështja e pensionimit të zyrtarëve të policorë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në cilësinë e inicueses së Projektligjit e ka prezantuar atë para deputetëve.

Sipas saj, Policia e Kosovës ka nevojë për një ligj të tillë.

“Vërtet, Policia e Kosovës ka nevojë që të këtë një ligj të tillë. Me këtë Projektligj propozohet rregullimi ligjor i kohës të së drejtës në pension. Do të rregullohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve”, ka thënë ajo.

Në këtë Projektligj janë propozuar 4 lloje të pensioneve: i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar.

“Po rrezikohemi të jemi policia më e vjetër në rajon, ne kemi ardhur në përfundim që është nevoja të marrim këtë iniciativë, t’i propozojmë Kuvendit nxjerrjen e këtij ligji. Pres që në mes të dy leximeve të jepen rekomandime që ky Projektligj të përfundojë si ligj dhe të jetë i aplikueshëm”, ka përfunduar Musliu.

Por, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në votimin e kësaj nisme, meqë sipas tyre, është joserioze.

“Sponsorizuesi apo deputetët e PDK-së që kanë filluar këtë nismë është dashur që të merren vesh dhe të inkurajojnë edhe deputetët e PDK-së që fillimisht ta votonin marrëveshjen ndërkombëtare për financimin e një projekti për skemat sociale dhe pensionale, me çka do të hapej rruga që edhe Qeveria të fillojë këtë nismë për komplet skemat pensionale sepse ne që në fillim e kemi thënë, siç kemi thënë edhe do ta bëjmë edhe Ligjin për pensionim edhe për Policinë e Kosovës”, ka thënë Dugolli.

“Qe dy herë radhazi është rrëzuar një marrëveshje ndërkombëtare, PDK dhe LDK e rrëzuan, ajo marrëveshje do të vijë prapë në Kuvend dhe bëj thirrje që kolegët deputetë ta votojnë këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe pastaj të punojmë të gjithë së bashku, por kjo ka një rend. Qeveria bën planifikimet dhe ajo na sjell Ligjin për pensionim për Policinë e Kosovës por edhe ligjin që rregullon një herë e mirë skemat pensionale”, ka shtuar ai.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të përkrahin këtë nismë.

“Nganjëherë kolegu Enver nuk e di çka flet, ja fut kot, deputeti nuk vjen këtu të bëjë lojra, por propozojnë ligje”, ka thënë Qalaj.

“E di çka po flas, nëse nuk do ta kuptosh, është tjetër çështje. Nuk themi që jemi kundër ligjit për pension të parakohshëm të Policisë së Kosovës. Ka qenë premtim i yni dhe kjo do të bëhet”, është përgjigjur Dugolli.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka thënë se iniciativa e deputetëve të PDK-së është e qëlluar, por që do të presin që një Projektligj i tillë të vjen në Kuvend nga qeveria.

“Mos të na shihni neve këtu si pjesë e pushtetit dhe të thoni se jemi kundër. Ne jemi për këtë ligj por presim që ky ligj të na vjen nga qeveria, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme. Por fillimisht duhet rregulluar Ligji për paga dhe për shërbyes civilë. Kur të vjen nga qeveria vjen me një tabelë që mund te realizohet. Ne mund ta votojmë këtu, por sa mund të jetë e zbatueshme në terren. Ju përgëzoj për iniciativën, por pres qe ky ligj të na vjen nga qeveria”, ka thënë Selimi.

Në Komision u tha se ky Projektligj është dërguar në qeveri dhe është pritur 30 ditë, por nuk ka pasur ndonjë mendim.

“Në momentin që autoritetet e qeverisë e sigurojnë që mund të prodhojnë një Projektligj që për një presje është më i mirë se ky, do e keni përkrahjen time”, ka thënë deputeti i LDK-së, Anton Quni.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika