Ligjvënësit hungarezë do të votojnë për aplikimet për anëtarësim në NATO të Finlandës dhe Suedisë në fillim të marsit, thuhet në agjendën parlamentare të publikuar më 22 shkurt.
Debati parlamentar për pranimin e këtyre dy shteteve në aleancën ushtarake perëndimore do të zhvillohet javën e ardhshme dhe votimi – i ndarë për secilin shtet – do të mbahet nga 6 deri më 9 mars, thuhet në web-faqen e Parlamentit të Hungarisë.
Turqia dhe Hungaria janë dy shtetet e vetme të NATO-s që ende nuk kanë ratifikuar aplikimet për anëtarësimin e shteteve nordike. Që këto dy shtete të bëhen pjesë e aleancës, duhet që parlamentet e 30 shteteve anëtare të ratifikojnë aplikimet e tyre, shkruan REL.
Hungaria ka sinjalizuar se pret që të miratojë aplikimet e Suedisë dhe Finlandës, duke deklaruar se nuk ka asnjë kundërshtim.
Afati i fundit për ratifikim është shtyrë disa herë, dhe shefi i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka thënë se Hungaria fillimisht duhet të miratojë në Parlament disa reforma kundër korrupsionit, para se “Parlamenti të trajtojë çështjen e NATO-s”.
Opozita hungareze ka kritikuar partinë udhëheqëse Fidesz të Orbanit se po zvarrit çështjen e ratifikimit të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë.
Orban, aleat i ngushtë i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka insistuar që të mbajë raporte me Moskën, pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës.
Përderisa Orban ka dënuar agresionin rus, ai ka refuzuar që të kritikojë presidentin rus, Vladimir Putin.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Finlanda dhe Suedia në maj të vitit 2022 vendosën që të aplikonin për anëtarësim në NATO.
Deri më tani, Turqia ka refuzuar që të ratifikojë aplikimin e Suedisë dhe Finlandës, duke u paraqitur këtyre shteteve disa kushte. Por, së fundmi Ankaraja ka sinjalizuar se është e gatshme të ratifikojë aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO.