Një marrëveshje në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për kontrollimin e përbashkët të pikave kufitare mes dy vendeve, ka hyrë në fuqi të hënën më 31 korrik.
Në pikën kufitare në juglindje të Shqipërisë, Qafë Thanë, do të ketë vetëm një pikë ndalese, e cila do ta lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të mallrave.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, inspektuan pikën kufitare të Qafë Thanës, ku u prezantua nisma “One stop shop” (një ndalesë, një kontroll), mes dy vendeve.
Të dy kryeministrat vlerësuan se lehtësitë në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave vijnë “si rezultat i Ballkanit të Hapur”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se dy vendet “janë shembull se si duhet të sillen dy shtete fqinje”, ndërsa theksoi se mes gjithë vendeve të Ballkanit nuk duhet të ketë kufij, shkruan REL.
“Lehtësojmë punën e 11 kompanive maqedonase eksportuese, mundësojmë qasje më të mirë në portet e Shqipërisë, por edhe në destinacionet turistike në dy vendet. Falë Ballkanit të Hapur është rritur për 40 % shkëmbimi tregtar me Shqipërinë dhe 50 % në raport me Serbinë”, tha Kovaçevski.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se kjo nismë duhet të vijojë më tej drejt lëvizjes së lirë dhe kontrollit të rastësishëm të automjeteve.
“Shpresoj që Ministritë e Brendshme (të dy vendeve) do të kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit dhe në sezonet e tjera verore, për të bërë kalimin pa kontroll, apo më saktë me kontroll të rastësishëm të makinave, në mënyrë që të lehtësohet edhe më shumë qarkullimi”, tha Rama.
Si Kovaçevski, ashtu edhe Rama, theksoi rëndësinë që ka luajtur Ballkani i Hapur në këtë.
“Unifikimi i doganave është qëllimi final, por nuk kemi pse presin Bashkimin Evropian për të avancuar në këtë drejtim. Ka pasur shumë skeptikë kur e nisëm këtë proces fillimisht si Minishengen, pastaj Ballkani i hapur, por faktet flasin vetë”.
Vendimi për zbatimin e kontrollit të përbashkët kufitar në Qafë-Thanë u miratua në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, mbajtur më 14 nëntor 2022.
Më këtë mbledhje, që ishte e dyta mes qeverive të dy vendeve, u nënshkruan 21 marrëveshjeve dhe memorandume, që ndërlidhen me bashkëpunimin në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e sigurisë, të turizmit, të tregtisë, si edhe në fushën e energjisë elektrike.