Historiani dhe ish-diplomati i Kosovës, Ylber Hysa, e ka komentuar çështjen e Këshillit të Evropës dhe suksesin e Kosovës në fazën e parë. Në një intervistë për ABC News Albania, ai tha se Kosova e ka rritur rolin e saj së tepërmi në raport me KiE-në, kurse Serbia ka tentuar ta minojë atë.
Ai tha se duhen së paku tri vite që të ketë anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës.
“T’i kthehem edhe një herë politikës reale, të dyja palët si Prishtina dhe Beogradi, e kanë paraqitur çështjen e Këshillit të Evropës, njëra duke e rritur rolin së tepërmi, ndërsa tjetra duke u përpjekur ta zvogëlojë. Të gjithë e dimë si shkon procedura, e kjo ishte vetëm një biletë hyrëse në organizatë, edhe e bazuar edhe në përvojën e të tjerëve nga rajoni, ku së paku duhen dy e ndoshta tre vite, siç ishte rasti me Kroacinë, që të ketë një anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës”, ka thënë ai.
Hysaj ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe liberalizimi i vizave, më shumë janë vetëm si njëlloj shpërblimi për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Derisa të ndodhë kjo, duket si njëlloj karote për Kosovën kur kemi parasysh se para kësaj kishim edhe një vendim për liberalizimin e vizave, u lejuan që të mbahen zgjedhjet në veri të cilat ishin një debakël. Të gjitha këto ndoshta janë një pjesë e karotës për Prishtinën, e cila tani do të duhej të ishte më e qetë para opinionit të vet për të implementuar atë që është paraparë me marrëveshjen e Ohrit dhe këtu gjithsesi përfshihet Asociacioni i Komunave serbe”, ka thënë ai.
Sa i përket Serbisë, Hysa tha se ka të bëjë kryesisht me opinion publik të brendshëm, me narracionin e vjetër të saj se bashkësia ndërkombëtare nuk është e besueshme.