Hysaj për “Etno Fest”: Është sikur të organizosh gjashtë festivale në një

"Etno Fest", festival i cili eksploron etnosin, traditën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare, këtë vit vjen me edicionin e tij të 12-të. Për më shumë se një dekadë ka qëndruar afër publikut duke sjellë ekspozita të shumta, shfaqje teatrale, performaca baleti, rite arkaike, debate e promovime librash

Pamje nga edicionet e mëparmshme të festivalit "Etno Fest"

Festivali “Etno Fest” është një organizim i cili ndër vite ka mbledhur vizitorë nga trojet shqiptare dhe jo vetëm. I nisur para 12 vjetëve me një qëllim të vetëm, gjetja, ruajtja, dhe promovimi i arteve dhe kulturës sonë tradicionale.

Një festival i cili eksploron etnosin tonë, traditën dhe trashëgiminë kulturore, i krijuar nga profesori Fadil Hysaj, tashmë më shumë se një dekadë ka sjellë dhe vazhdon të sjellë risi dhe të zgjerohet në çdo dimension.

Por, si ka nisur i gjithë ky rrugëtim 12-vjeçar tregon më së miri drejtori artistik i festivalit, Ilaz Hysaj, në një intervistë për portalin Dukagjini.

“Çdo gjë ka filluar në vitin 2009 kur profesori Fadil Hysaj, në kërkimin e një qetësie shpirtërore është vendosur në fshatin Kukaj, pothuajse të braktisur, me vetëm dy shtëpi të banuara, ku në vitin 2010 ka krijuar Etno Teatrin e parë në një zonë rurale”.

Ilaz Hysaj, drejtor artistik i festivalit “Etno Fest”

“Shfaqja ‘Dardha pas bunari’ e dramaturges Arta Arifi në regji të Iliriana Arifit ka inauguruar këtë teatër i cili ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm. Ndodhi e cila nuk pritej fare, një vërshim i publikut të cilët vinin nga Prishtina dhe viset e tjera të Kosovës në një fshat të humbur të Malësisë së Gollakut për të parë një Teatër ndryshe”, ka thënë drejtori.

Çfarë ka ndikuar që “Etno Fest” të jetësohet?

“Kjo ngjarje e ka shtyrë Profesorin Hysaj të mendojë për organizimin e një festivali, i cili do të promovonte vlerat e kulturës, arteve dhe trashëgimisë sonë shpirtërore e materiale, duke u frymëzuar nga tradita jonë e cila dukshëm po rrezikohej, sidomos pas luftës. Në bashkëpunim me disa artistë, etnologë ka formuar bërthamën e cila ka vendosur bazamentin e një festivali i cili është emëruar ‘Etno Fest'”.

“Edicioni i parë është mbajtur në vitin 2011 dhe ka shënuar një sukses të madh. Nga këtu ‘Etno Fest’ ka vazhduar deri në edicionin e dymbëdhjetë duke u rritur nga viti në vit si në aspektin programor ashtu edhe në aspektin infrastrukturor duke krijuar një etnokompleks të veçantë dhe nga më të mëdhenjtë në Ballkan”, ka shtuar ai.

Por, i pyetur se cili ka qenë qëllimi i këtij festivali, ai ka thënë që fokusi kryesor ishte promovimi i kulturës tonë.

“Qëllimi i këtij festivali ka qenë gjetja, ruajtja, dhe promovimi i arteve dhe kulturës sonë tradicionale duke i përdorur ato si një materie e pasur frymëzimi për krijimet kontemporane, duke iu dhënë atyre ngjyrimin identitar, i cili po rrezikohej nga konfrontimi me megakultura dhe rryma të ndryshme që janë lehtë të depërtueshme në erën e internetit”, ka theksuar Hysaj.

Pamje nga edicionet e mëparmshme të festivalit “Etno Fest”

Ai ndër të tjera ka thënë që ky festival dallon nga të gjitha festivalet e tjera në shumë aspekte.

“Fillimisht është zhvilluar në një etnokompleks i cili është krijuar enkas për këtë festival dhe në funksion të zhvillimit të tij është rritur nga viti në vit. Sot etnokompleksi disponon tetë amfiteatro, po aq hapësira të mbyllura si dhe stande e galeri të shumta ekspozuese, performuese dhe një ‘Muze Etnografik’ mjaft të pasur”.

“Ka një program multidimensional, duke filluar nga ekspozitat, shfaqjet teatrale, ritet arkaike, programet e folklorit të vjetër, etno-performancat, muzikë klasike operistike, kulinari tradicionale, zeje dhe artizanate të vjetra, debate dhe promovime librash, atelie kreative, ‘Etno Party’ dhe aktivitete tjera relaksuese”, ka shtuar Hysaj.

Një festival i cili ka arritur të zhvillohet dhe të qëndrojë për 12 vjet afër publikut padyshim që ka pasur edhe sfida të shumta.

Hysaj sa i përket kësaj pjese ka thënë se, vështirësia më e madhe që ata kanë pasur ka qenë ana materiale, e cila e ka bërë të papërballueshme vazhdimësinë e kësaj ngjarjeje, por jo edhe të pamundur.

“Nuk ishte e lehtë të krijohet një festival kaq atipik në një ambient atipik, dhe një publik që përfshinë të gjitha grupmoshat, kulturat dhe gjeografitë e ndryshme të viseve tona”.

Pamje nga edicionet e mëparmshme të festivalit “Etno Fest”

“Vështirësitë kryesore kanë qenë përkrahja e pamjaftueshme buxhetore karshi vëllimit të madh programor si dhe specifikat e këtij festivali që lidhen me kushtet atmosferike, meqenëse shumica e programeve mbahen në ambiente të jashtme. Mirëpo, bërthama e këtij festivali si dhe stafi që u krijua dhe u profesionalizua nga viti në vit dhe ishin të vendosur që t’i përballojnë sfidat e shumta organizative që dilnin pikërisht nga multidimensionaliteti dhe kompleksiteti programor. Është sikur të organizosh gjashtë festivale në një”, ka shtuar drejtori.

Cili ka qenë motivi që ju ka shtyrë të vazhdoni dhe të sjellni program të larmishëm për publikun, përfshirë edhe në kohën e pandemisë?

“Ajo që është edhe më e rëndësishme e që na frymëzon tej mase është publiku besnik, i cili ndjek këtë festival gjithnjë e më shumë nga viti në vit. Falë angazhimit të stafit ne kemi arritur të mbajmë edhe edicionin e dhjetë e njëmbëdhjetë në kushte të vështira pandemie”.

“Çdo edicion ka një temë qëndrore të cilën mundohemi ta trajtojmë duke iu çasur përmes shumë shtyllave tona programore, kurse për këtë vit kemi zgjedhur dashurinë në kuptimin më sublim, sepse kemi menduar se është pikërisht kjo që i ka munguar dhe po i mungon më shumë se kurrë këtij populli. Tema e dashurisë do të jetë prezente në ekspozitat të shumta, shfaqje teatrale, performaca baleti, rite arkaike, debate, promovime librash e shumë të tjera”, është shprehur Hysaj.

Pamje nga edicionet e mëparmshme të festivalit “Etno Fest”

A ka Kosova mjaftueshëm festivale të këtij lloji dhe a mendoni se ka nevojë për më shumë të tilla?

“Festival të kësaj natyre multiprogramor nuk besoj se ka në Kosovë e as në rajon. Gjithsesi që ka nevojë për festivale të mirëfillta që promovojnë vlerat tona kulturore dhe identitare, sepse mbi të gjitha problemi shqiptar mendoj se është problem identitar”.

“Kjo ngjarje jo vetëm që e promovon kulturën dhe traditën shqiptare, por mbi të gjitha e hulumton atë që po rrezikohet të zhduket, e promovon dhe e përdor atë si një brum për krijime kontemporane duke krijuar kështu një hallkë lidhëse në zingjirin pothuajse të këputur mes të kaluarës dhe të sotmes e që për mendimin tim është shkaku kryesor i humbjes së identietit kombëtar dhe shoqëror”, ka theksuar drejtori.

Por, një ngjarje e tillë e cila ka një program të larmishëm dhe e ka të përfshirë gjithë traditën shqiptare,  po ngjall interesim te vizitorët jo vetëm të qyteteve të tjera të Kosovës, por edhe te vizitorët e të cilët vijnë nga rajoni dhe me gjerë.

“Festivalin tonë gjithnjë e më shumë e përcjellin vizitorë të huaj duke filluar nga stafet e përfaqësive diplomatike, rezident të huaj, gazetarë dhe fotografë si dhe artistë nga SHBA-të dhe shtetet tjera europiane me të cilët kemi pasur edhe bashkëpunime gjatë viteve të tjera si për shembull  Teatri ‘La Mama’ nga Nju Jorku, ‘Yoga international Fest’ e të tjerë”, ka thënë Hysaj.

Ndryshe, festivali “Etno Fest”, ishte planifikuar të mbahet nga 20 gushti deri me 27 gusht, por moti jo i mirë ka bërë që festivali të shtyhet për disa ditë meqenëse shumica e performancave mbahen në ambiente të hapura.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika