Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke shënuar mbylljen e procesit zgjedhor dhe duke hapur rrugën për formimin e Kuvendit të Kosovës.
Kështu, sipas Kushtetutës, Presidentja duhet të thërrasë seancën konstituive brenda 30 ditëve.
Flamur Hyseni, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, theksoi se ky afat ofron mundësinë për partitë politike të afrohen dhe të krijojnë një shumicë të nevojshme për formimin e qeverisë.
“Sipas nenit 66 të Kushtetutës, afati për thirrjen e seancës konstituive është 30 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Presidentja e thërret seancën konstituive brenda këtij afati. Kështu, çdo ditë e këtij afati mund të përdoret për caktimin e seancës konstituive të Kuvendit. Megjithatë, nuk është e qartë çfarë ndodh nëse vonohet pas kalimit të këtij afati 30-ditor. Logjikisht, nëse nuk ndodh brenda këtij afati, ne ndodhemi jashtë asaj që rregullon Kushtetuta. Deri tani, megjithatë, ky afat është përmbushur gjithmonë, pasi ka interes nga të gjitha grupet parlamentare që seanca konstituive të mbahet. Ky është qëllimi i Kushtetutës, e cila nuk synon të bllokojë situatën…
Por, ky 30 ditëshi cka eka një të mirë, mund të shfrytëzohet jo vetëm për aspektet juridike të formimit të Kuvendit, por edhe si një mundësi politike për partitë që të afrohen dhe të gjejnë mundësinë për të krijuar një shumicë, ose së paku, shumicën minimale që është e nevojshme”, ka thënë Hyseni në FIVE të Dukagjinit.
Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese e zgjedhjeve, me mbi 390.000 vota, që i sigurojnë 48 ulëse në Kuvend dhe një përqindje prej 42.30%. Kjo e bën Lëvizjen Vetëvendosje forcën politike më të madhe në Kuvend. Pas Vetëvendosjes, me 190.000 vota dhe 20.95% të votave, është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që fitoi 24 ulëse. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e treta, me mbi 170.000 vota (18.27%) dhe 20 ulëse, ndërsa koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka fituar mbi 66.000 vota (7.06%), duke siguruar 8 ulëse.