“Jam 100 herë më LDK se Lumir Abdixhiku”.
Kështu është shprehur ish-anëtari i kryesisë së LDK-së, Skënder Hyseni, për kryetarin e aktual të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Hyseni ka thënë se nuk pajtohet me qasjen e Abdixhikut karshi dialogut dhe planit evropian, për të cilin, është duke negociuar Qeveria Kurti.
Ai në Debat Plus në RTV Dukagjini, tha se është gabim që të sulmohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me çështjen e marrëveshjes me Serbinë.
Sipas tij, Kurti duhet të sulmohet për shumë gjëra, dhe se ka mjaft hapësira për ta kritikuar, por jo edhe për planin evropian.
“Unë e kam dëgjuar Lumirin e kam dëgjuaar dhe shumë të tjerë anëtarë të kryesisë së LDK-së. Unë nuk pajtohem me këtë qasje, unë jam më LDK se Lumir Abdixhiku 100 herë. Në çështjen e marrëveshjes, është gabim të sulmohet kushdo qoftë, sepse është marrëveshje ultimative e vendosur në tavolinë, është ndëshkim ndërkombëtar për politikat luftënxitëse edhe në Kosovë dhe Serbi, dhe duhet të kuptohet qartë dhe është ndërprerje e një katandisje të mëtejme të Kosovës, është mirë të nënshkruhet, është mirë që opozita të sillet pak më ndryshe”, ka thënë ai.
Hyseni u shpreh se në rast se nuk nënshkruhet marrëveshja e propozuar nga BE, shteti i Kosovës do të përballet me pasoja tejet të dëmshme.
Sipas tij, është interes i bashkësisë ndërkombëtare me theks të veçantë i ShBA-së, që të krijohet stabilitet në Kosovë.
“Opozita mund frontalisht ta sulmojë Kurtin për 100 mijë çështje të tjera, ka boll çështje që mund ta zënë Kurtin ngushtë. Por nëse provojnë ta zënë ngushtë për nënshkrimin e marrëveshje, është gabim, sepse nuk ka rrugë tjetër. Alternativa është vazhdimi i katandisjes, vazhdimi i konfrontimit me bashkësinë ndërkombëtare. SHBA-së mbi të gjitha i intereson të ruhet një stabilitet dhe të krijohen disa dispozita elementare që situata të krijohet stabile”, ka thënë ai.