Hyseni takohet me ambasadorin amerikan: Kosova t’i marrë me seriozitet propozimet ndërkombëtare

Gjatë këtij takimi kishte një pajtim të plotë se institucionet e Kosovës duhet të marrin me shumë seriozitet propozimet dhe rekomandimet evropiane e amerikane për rrugën përpara, ka thënë Skender Hyseni





Ish-koordinatori për dialog, Skender Hyseni, të enjten e tre nëntorit është takuar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Kështu ka bërë të ditur vetë Hyseni përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka thënë se gjatë këtij takimi kishte një pajtim të plotë se institucionet e Kosovës duhet të marrin me shumë seriozitet propozimet dhe rekomandimet evropiane e amerikane për rrugën përpara.

“Biseduam gjatë, shumë hapur dhe në mënyrë përmbajtjesore për situatën me të re në Kosovë dhe aktualitetin në rajon, Theks të veçantë gjatë bisedës u vu te zhvillimet në Kosovë dhe domosdoja e dialogut me Serbinë. U theksua se sot më shumë se kurrë kërkohet maturi në veprime politike. Ruajtja e stabilitetit është çelësi i lëvizjes përpara. Me ambasadorin Hovenier kishim pajtim të plotë Status-quoja në raportet me Serbinë dëmton rëndë interesat e Kosovës sot dhe nesër”, ka shkruar Hyseni.

Angazhimi i shtuar ndërkombëtar me synim parësor “ruajtjen e stabilitetit”, sipas ish-koordinatorit për dialog, Skender Hyseni, duhet të shfrytëzohet për të çuar tutje procesin e konsolidimit të shtetit.

Sipas tij, vizitat e shpeshta në rajon ditëve të fundit të emisarit amerikan për rajonin, Gabriel Escobar, janë tregues të saktë të përkushtimit të shtuar amerikan për Kosovën dhe stabilitetin në Ballkan.

Lidhur me këtë, Hyseni ka hedhur kritika mbi qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në raport me bisedimet me Serbinë.

Ndryshe, në paraqitjen e përbashkët mes Gabriel Escobarit dhe kryeministrit Albin Kurti, nuk kishte ndonjë mesazh të qartë sa u përket afateve për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, porositë që diplomati amerikan solli në Kosovë u bënë të qarta kur Gabriel Escobar pati një paraqitje mediale.

Ai tha se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të përfundojë sa më shpejt, për çka kërkoi nga BE-ja që të vendosë afate kohore.

Ndërkohë, qasja konkrete e Gabriel Escobar duket befasuese për një anëtar të shoqërisë civile nga radhët e komunitetit serb.

Sipas tij, ShBA-ja kurrë nuk do të merrte një vendim që do të ishte në kundërshtim të Kosovës.

“Unë isha shumë i befasuar që dëgjova atë deklaratë, sepse për opinionin tim, marrëveshja finale nuk duket aq afër, ndoshta ai u referohet marrëveshjeve të brendshme mes shteteve. Serbia ende nuk ka një qeveri, javën tjetër do të ketë formim të institucioneve për çka nuk mendoj që dakordimi mes palëve do të mund të bëhej shpejt. Çdo gjë që është e mirë për Kosovën, ShBA e përkrah dhe asnjëherë nuk do të merrte një vendim në kundërshtim me atë”, ka thënë Ognjen Gogiq nga shoqëria civile.

I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor ka kërkuar që të shtyhet afati prej 10 muajsh për konvertimin e targave ilegale në RKS.

E për këtë, përgjigje ka dhënë vetë zyra e kryeministrit, duke thënë se nuk është koha e shtyrjeve të afateve, por koha që të promovohet sundimi i ligjit.

Mirëpo, kjo nuk është kërkesa e vetme e Escobar. Ai po ashtu ka propozuar që njohja nga Serbia të mos vijë në fillim të marrëveshjes, duke iu referuar se e përkrahin propozimin e Francës dhe Gjermanisë.

Ndonëse për këtë çështje nuk kanë pranuar që të përgjigjen nga zyra e kryeministrit, një deputete e Vetëvendosjes ka thënë se marrëveshja finale do të jetë më e mira për qytetarët e Kosovës.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika