Skënder Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e ka quajtur “skandal politik infantil”, vendimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, që të mos takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Hyseni ka shkruar në Facebook se veprimi i Abdixhikut ka qenë i panevojshëm.
“Pa dashur të futem në detajet e protokolit, me duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërësisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Hyseni ia ka përmendur Abdixhikut takimin me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq kur e kishte takuar në hotelin “Swiss Diamond”.
“Shtrohet pyetja, përse z. Abdixhiku nuk u bë poaq “ i madh”, me rastin e vizitës së Presidentit të Malit të Zi, të cilin më 19 maj 2022, shkoi ta takonte, madje jo në Kuvend të Kosovës, por në hotelin Swiss Diamond???!!!”, ka shkruar Hyseni.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk pranoi të takohet me presidentin e Shqipërisë jashtë zyreve të LDK-së.