Nën përcjellje të rreptë nga Policia e Eulex-it, Hysni Gucati është nisur për në Aeroportin e Prishtinës, pasditen e së premtes.
Ish-kreu i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati, ka ardhur këtë të premte në Prishtinë, për ta vizituar nënën e tij, e cila po trajtohet në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë.
Ndërsa, menjëherë pas takimit me nënën, Gucati është nisur për në Hagë, ku për mbahet në paraburgim prej dy vitesh.
Gazeta Express ka siguruar një video të eskortës që po e dërgonte Gucatin për në aeroport, pak kohë pasi doli nga spitali, ku e vizitoi nënën e tij.
Gjykata Speciale ka konfirmuar se Gucati ka udhëtuar në vendlindje për të takuar familjen e ngushtë dhe vizita e tij është lejuar për shkak të arsyeve humanitare.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Kolegji i Apelit ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për Hysni Gucatin për të takuar familjen e ngushtë. Hysni Gucati mbetet në paraburgim dhe në paraburgim të Dhomës së Specializuar. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, kanë deklaruar nga Specialja për Express.
Hysni Gucati kishte vizituar Kosovën edhe më herët.
Ai gjatë muajit korrik ishte lejuar të vizituar nënën e tij që ishte e shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gucati ishte i shoqëruar nga forca të shumta të njësive speciale të EULEX-it.
Në muajin maj, Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim, dhe me një gjobë prej 100 eurosh.
Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020. Sipas këtij vendimi, më 17 qershor 2022, të akuzuarit kanë paraqitur njoftimet e tyre për apel.