Dhimbjen që nuk pati rast ta takojë babain në momentet e tij të fundit, i krahasoi me plagët e luftës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Madje, Hysni Gucati që së fundmi u dënua me katër vjet e gjysmë burgim nga Dhomat e Specializuara, nuk u lejua as të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Avdullah Gucatit.
Megjithatë, kërkesa për vizitë humanitare, Gucatit i është lejuar tek tri ditë pasi babai i tij ndërroi jetë.
Ai ka arritur në Kosovë rreth orës 11:00 ndërsa nën përcjellje të EULEX-it por edhe Policisë së Kosovës, vendi i parë që ai vizitoi ishte varri i babait të cilin e kishte edhe bashkëluftëtar.

Më pas nën masa të rrepta sigurie për disa orë ai ka qëndruar në shtëpinë e tij, afër familjes.
Pa praninë e tij në pjesën tjetër të oborrit, për ngushëllime kanë shkuar qytetarë nga e gjithë Kosova.
Përkundër se janë të lumtur me ardhjen e tij, disa familjarë janë të zhgënjyer që ish-kryetari i OVL-UÇK-së nuk u lejua të vijë edhe në varrimin e babit.
“Mungesa e Hysniut në varrimin e babait nuk përshkruhet, ishe gjest shumë i rëndë, gjest shumë i dhimbshëm, mirëpo ne shqiptarët po del se jemi më të fortë guri. Hysniu edhe babai i tij Avdullahu që ka vdekur, gjithmonë kanë qenë kullë atdhetare që e kanë përballuar çdo rrezik e çdo sfidë për këtë tokë e për këtë liri”, u shpreh Musli Hoxha, familjar.

Vizitës së Hysni Gucatit po i gëzohet edhe Vesel Tahiri, ish-ushtar i UÇK-së, i cili e çmon lartë kontributin e familjes Gucati në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës.
“Avdullahu e njoh si veteran të fortë e të ndershëm, i gjithë populli i Kosovës për ta ka fjalë të mira. Atyre u është bërë padrejtësi”, deklaroi Tahiri.

Pos të afërmit dhe bashkëluftëtarët për ngushëllime në fshatin Marinë në Skenderaj, te familja Gucati ishin shumë nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës.
Një nga ta ishte edhe kreu i kësaj partie opozitare, Memli Krasniqi.
“Është shumë me rëndësi me qenë në raste të tilla me ju dhanë mundësia të gjithëve që të jenë pranë familjes së tyre. Unë e pash që sot paska ardhur (Hysni Gucait) në Kosovë. Prandaj shpresoj që kjo të jetë një mundësi për të u çmallur në një moment të vështirë që secili njeri e përjeton ashtu”, ka thënë Krasniqi për RTV Dukagjinin.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj nga Gjykata Speciale janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.

Kjo pasi që ata u gjetën fajtor nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale, për veprën penale pengim i drejtësisë.