Gjykata Themelore e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.K., i kërkuar nga autoritet e Maqedonisë së Veriut.
Kjo masë është marrë pas një urdhër arresti ndërkombëtar nga Interpoli, për shkak të dyshimit se F.K. ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të pandehurit është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesa të datave 25 korrik 2008 të shtetit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të veprës penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Lidhur me këtë i pandehuri F.K., dyshohet se veprën penale të përshkruara më lartë e ka kryer në shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe i njëti më datën 18 korrik 2024, është ndaluar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Kaçanik”, thuhet në njoftim.