Mëngjesi i 3 prillit ka zbardhur veriun e Kosovës me një tjetër rast të zjarrvënies së qëllimshme.
E parkuar në dalje të Mitrovicës Veriore, vetura e hetuesit policor të nacionalitetit serb, është djegur rreth orës 5 të mëngjesit.
Policia e Kosovës nuk ka mohuar e as pohuar nëse kolegu i tyre, Zh.K. ka qenë më parë i kërcënuar në ndonjë formë për punën e tij në institucionet e Kosovës.
“Nuk mund të flasim për ndonjë kërcënim që kolegu jonë ka pas, nuk mund të flasim as për punën e tij sepse të gjitha këto janë pjesë e hetimit. Mirëpo kudo që hetimet na dërgojnë ne atje do të shkojmë. Këtë rast kemi marr shumë seriozisht, jemi duke e hetuar dhe konsiderojmë që do të kemi rezultate”, ka thënë zv/drejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës tashmë e ka cilësuar veprën penale por tregojnë se dyshimet e para çojnë në akt të qëllimshëm.
“Dyshohet që është djegie e qëllimshme, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe ka urdhëruar që të iniciohet rast për veprën penale “Zjarrëvënia”, në bashkëpunim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore që të zbulohen kryerësit”, kanë thënë nga Prokuroria.
Kjo nuk është hera e parë që veturave dhe lokaleve të komunitetit serb që punojnë në institucionet e Kosovës u vihet flaka.
Rasti i sotëm i djegies së veturës është i teti vetëm brenda këtij viti i djegies së pronës personale të komunitetit serb.
Asnjë nga rastet e kaluara nuk kanë arritur të zbulohen nga organet e drejtësisë.