Personi i akuzuar për tentim-vrasje të kryeministrit sllovak, Robert Fico, ka arritur të shtunën në gjykatë, e cila do të vendosë për masën e paraburgimit.
Siç raporton AP, i akuzuari, i identifikuar nga mediat sllovake si Juraj Cintula, 71-vjeçar, e ka qëlluar me armë Ficon, pas një takimi qeveritar të mërkurën.
Para gjykatës të shtunën janë parë shumë forca policore.
Cintula ka shtënë pesë herë me armë kundër Ficos, ndërsa e ka qëlluar katër herë – përfshirë goditjen në abdomen – teksa kryeministri ka qenë në afërsi të mbështetësve të tij, pas takimit qeveritar të zhvilluar në qytezën Handlova.
Fico është dërguar në spital me helikopter dhe i është nënshkruar një operimi për pesë orë.
“Nëse do të goditej vetëm disa centimetra më lart, do të goditej mëlçia e kryeministrit”, ka thënë ministri i Brendshëm sllovak, Matus Sutaj Estok për mediat lokale.
Fico, i cili është në pushtet prej kur partia e tij popullsite e qendrës, Smer, i ka fituar zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtën e vitit të kaluar, e ka pasur edhe një tjetër operim dyorësh të premten.
“Pacientit i është kthyer vetëdija, gjendja e tij është stabile, mirëpo është ende në zonën për kujdes intensiv” kanë thënë zyrtarë të spitalit në qytetin sllovak Banska Bystrica.
Gjykata në Pezinok do të shqyrtojë kërkesën e prokurorit që Cintula të jetë në paraburgim, pasi është akuzuar për tentim-vrasje me paramendim.