Irfan Lipovica, që ishte arrestuar nën dyshimin për rastin e njohur si rezervat shtetërore, është emëruar drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës në Ministrinë e Industrisë, Ndërrmarësisë dhe Tregtisë, me vendim të Qeverisë të martën.
Ministrja Rozeta Hajdari në shpjegimin e propozimit ka thënë se ky institucion ka rëndësi të lartë për ekonominë.
“Akreditimi si proces me rëndësi të lartë për ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve, pasi që përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve dhe të proceseve e shërbimeve me standarde ndërkombëtare e vendore duke garantuar kështu që të ofrojë nivel të lartë të cilësisë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, procesi i përzgjedhjes në pozitën e nivelit të lartë drejtues është zhvilluar në mbështetje të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe në rregulloren e Qeverisë. Pas zhvillimit të procesit, sipas saj propozimi ka qenë që Lipovica të emërohet drejtor dhe kjo mori mbështetjen e kabinetit.
Lipovica ishte arrestuar si zyrtar i MINT-it në mes të gushtit të 2023-s pas aksionit të Prokurorisë Speciale në këtë ministri. Pos tij ishte arrestuar edhe Hafiz Gara dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.
Ata ishin liruar nga paraburgimi në fund të gushtit.
Muharremi dyshohet se iu ka ndihmuar dy zyrtarëve shtetërorë, Lipovicës dhe Garës, që të shkelin ligjin kur kanë porositur blerjen e rezervave shtetërore. Prokuroria dyshon se shteti është dëmtuar me rreth 600.000 euro gjatë blerjes së produkteve për rezervën shtetërore.
Ministrja Rozeta Hajdari pati thënë se zyrtarët e MINT-it janë të pafajshëm dhe s’kanë bërë shkelje ligjore.
Për rastin e rezervave shtetërore është ftuar për intervistë edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka kërkuar që prokurorët ta intervistojnë në zyrë të tij.