Personi i arrestuar i cili dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të njerëzve të cilët gjendeshin në paradën e Ditës së Pavarësisë së katër korrikut në Çikago, është akuzuar për shtatë vrasje.
Kështu kanë thënë zyrtarët amerikanë, ku siç raporton BBC, Robert Crimo, do të ndëshkohet “për vrasjet kundër komunitetit tonë”, ka thënë prokurori Eric Rinehart.
Sulmi i ndodhur në Higland Park, ku po mbahej parada, la të vdekur shtatë persona dhe mbi 30 të plagosur.
Prokurori Rinehart ka theksuar se dhjetëra akuza të tjera do të ngrehen para se të përfundojë hetimi për këtë ngjarje.
“Këto janë akuzat e para të shumë akuzave që do të ngrehen kundër Crimo-s”, ka thënë ai teksa ritheksoi se “do të ketë më shumë akuza”.
I dyshuari po akuzohet se ka gjuajtur 70 plumba drejt turmës. Ai ishte maskuar si grua në mënyrë që të mund të ikte nga vendi i ngjarjes së bashku me turmën.
Pas tetë orësh ndjekjeje, më katër korrik, policia amerikane ka arrestuar Crimon.
Atij i ishte gjetur edhe një pushkë tjetër e ngjashme me atë që e kishte përdorur gjatë sulmit.
Pos kësaj, edhe tri armë tjerë zjarri iu gjetën në shtëpi.
Sipas policisë amerikane, i dyshuari kishte pasur dy kontakte të mëhershme me forcat e zbatimit të ligjit, por megjithatë kishte qenë në gjendje që të blinte pesë armë gjatë vitit të kaluar.
Në prill të vitit 2019, policia ishte thirrur në shtëpinë e tij pas supozimeve se ai kishte tentuar të vetëvritej.
Ndërkaq, në shtator të po të njëjtit vit, policia ishte thirrur nga një familjar i tij, i cili ka thënë se Crimo kishte kërcënuar se “do të vriste të gjithë”.
Në atë rast, policia kishte konfiskuar 16 thika dhe një shpatë në shtëpinë e Crimos.
Ai do të dalë para gjykatës, të mërkurën, për vrasjen e shtatë personave më katër korrik.
Ndryshe, SHBA-ja kohëve të fundit po përballet vazhdimisht me të shtëna masive.
Më 24 maj, 19 nxënës dhe mësues janë vrarë në një sulm, në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit.
Kjo ngjarje kishte ndodhur vetëm 10 ditë pas të shtënave në një dyqan ushqimor në Bufallo të New Yorkut, ku mbetën të vrarë 10 persona.