Për t’u përballur me drejtësinë për krimet e luftës ndaj popullatës civile, është ngritur aktakuzë ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq.
Në vitin 1999, të dy gëzonin pozita drejtuese në stacionet e milicisë, Zariq shef në atë të Rakoshit e Pantoviq në Istog.
Familja Salihaj të dy i njihte nga afër e kjo ngase problemet me ta i kishin të vazhdueshme. E për më tepër, ishte Pantoviq ai i cili kishte dhënë urdhrin e vrasjes së 9 anëtarëve të familjes Salihaj, nga tri gjeneratat.
“Aty janë ra baba me katër djem e tre nipa, tri gjenerata. Baba ka qenë më i moshuari e më i riu Hysniu, djali i Shabanit, 16 vjeç. Më e keqja ishte se i kishin pas qel, ua kishin marrë organet, krejt kanë qenë t’qelun pos Shabanit. Baba ishte i vrarë këtu, këtu djali i vëllaut, Shabani u vra tek udha kryesore…grun e tij e kishin pas vra Fatimen. Ja kemi gjet flokët se kur e kishin vra e kishin lyp Edhe një qebe, e më pas e kishin zhduk”, ka thënë Sefadin Salihaj – Familjar i të vrarëve.
Fatime Salihajt i ishte gjetur vetëm një pjesë e trupit, tre muaj më vonë në malet afër.
E jeta Sefadinin e kishte takuar disa herë me Pantoviqin, për gjykimin e të cilit, ai nuk shprehet aspak optimist.
“Në Istog e kam pa me gruan, bash në qendër. Rrike me shqiptarë por ky gjithmonë ka thënë se s’ka qenë pjesëmarrës. Faktikisht ka qenë, është më i madh se pjesëmarrësit. Se ai ka urdhëruar, i ka zbatuar urdhrat e shtetit të vet. Ai e dinë për punëtorët e tij, këtu ka pasur edhe paramilitarë…Për Zharkun kam ba ankesa, e murren do ditë e lshun prapë. Tash më thanë që prapë e kanë arrestuar. S’po di sa të jem i gëzuar. Mundet me qenë proces formal, nashta po gaboj po nga e kaluara, nuk kam bindje. S’kam bindje se drejtësia po punon mjaftueshëm”, ka thënë ai.
Ndër familjet që pësuan nga urdhrat e dy të pandehurve + është edhe familja Imeraj.
Urdhri i Zhazhit kishte lënë familjen Imeraj pa 19 anëtarë, e Hyra Imerajn pa burrë e djalë.
“Kemi qenë mrena, dul kojshia e tha janë mbush plot. Skem ditë gjë veç kanë ardh dy vet e na i gjuajtën dritaret. Unë me tre fëmijët, plakun e kojshit. Plaku më tha që e njihte se i kishte ruajtur bagëtit me ta, i tha “mos, se i tranove fëmijët”. Ai i tha “s’ka më kojshi” e shau serbisht dhe e qëlloi sa mundi. Djalin u munojsha me mshef, u tutsha që po ma marrin. kur e gjuajtën rash mbi të dhe kot, gjuajshin prapë”, ka deklaruar Hyra Imeraj, nëna e Mohamed Imerajt.
Tanimë prapa grilave, të pandehurit gjenden nën masën e paraburgimit deri në nisjen e gjykimit.
Momir Pantiq dhe Zharko Zariq akuzohen për krimet e kryera në familjet Salihaj, Imeraj, Lipa, Pepaj e të tjera, përfshirë në dy raste sipas Prokurorisë edhe dhunime seksuale ndaj viktimave.