Sot (e premte) në varrezat katolike në Pejë pas homazheve iu dha lamtumira e fundit ish-ambasadorit dhe ish-zv.ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha, njeriut i cili tërë jetën ishte në shërbim të vendit.
Berisha për një kohë të gjatë kishte qenë i përfshirë në organizime sociale, politike e kulturore, duke përfshirë lëvizjen kombëtare të viteve ’90, me misione specifike diplomatike të autorizuara nga presidenti Ibrahim Rugova.
Ish-ambasadori Berisha ka qenë në gjeneratën e parë të ambasadorëve të karrierës i emëruar në vitin 2009, duke shërbyer si ambasadori i parë i Kosovës në Slloveni.
Ish-diplomati më pas kishte shërbyer në disa pozita të rëndësishme të vendit si zëvendësministër i Punëve të Jashtme, këshilltar diplomatik i kryeministrit dhe si person diplomatik kontaktues në Selinë e Shenjtë.
Berisha ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku ka punuar me fokus në sektorin e punëve të Jashtme dhe integrimeve evropiane.
Berisha vdiq në moshën 59 vjeçare pas një sëmundje të shkurtër.
E pamja për Berishajn do të mbahet më 4 janar në restorantin “Koha 3”, në qendër të qytetit, nga ora 09:00 deri në orën 14:00.
Për ish-diplomatin Berisha familjes i ka shprehur ngushëllime presidentja e vendit Vjosa Osmani.
“Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Anton Berishën!”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Gjithashtu, ngushëllime i kanë shprehur familjes edhe shumë bashkëpunëtor të ish-ambasadorit si Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti, Vlora Çitaku, Behxhet Pacolli, Valon Murtezaj e të tjerë.