Ulësja e tij është thuajse gjithmonë e lirë. Mënyra si e përjeton futbollin nuk e lejon të ulet.
Në pamje duket sikur një profesor i kapluar nga stresi. Gjithmonë duke u munduar të jap instruksione te futbollistët.
Unai është emri. Emery mbiemri. Ai është simboli i “shpëtimtarit” te skuadrat mesatare.
I lindur në Hndbarrribia të Spanjës, në nëntorin e 1971, Emery ishte i pasionuar për futbollin qysh si fëmijë. Por, talentin si futbollist e pati larg nga pasioni, pasi pjesën më të madhe të karrierës e kaloi në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.
Karrierën si trajner e nisi në Lorca Deportiva, pasi i vari këpucët në vitin 2004. Sezoni i parë: Promovim në Segunda Division.
Ky ishte vetëm fillimi.
I lindur për të bërë histori, Emery e mori më pas drejtimin e Almerias.
Rezultati? Për herë të parë në historinë e klubit Almeria promovohet në La Liga.
Spanjolli ishte i uritur më shumë. E zgjodhi Valencian për kapitullin e ri.
Në “Mestalla” ai qëndroi katër vite për të fituar reputacionin e “trajnerit me perspektivë”. Anipse trofe nuk fitoi me “lakuriqët”, fanella e bardhe u pa në Ligën e Kampionëve dhe vendin e tretë në LA Liga.
Por, Emery ishte në pritje të telefonatës së rradhës. Ai ishte i uritur më shumë.
Dhe erdhi. Pas katër viteve qëndrim (2008 – 2012) në Valencia, ai ndërroi destenacion.
Nuk iku nga e bardha. Emery u emërua trajner i Sevillës.
Tre sezone, tre finale të Europaligës, tre tituj.
Sevilla mbretëroi tre herë rradhazi në kompeticionin e dytë madhor të Evropës.
I vetmi ekip që e ka arritur këtë sukses në historinë e lojës së bukur.
Faturat e suksesit nuk ishin anonime, i drejtoheshin Unai Emery-s.
Emri tij u shndrrua në këngën më të bukur në “Ramon Sanchez Pizujan”.
Strategu kishte plane të madhe. Në vitin 2016 nënshkroi të jetë shef i shtabit teknik të PSG-së.
Periudha 2 vjeçarë në qytetin e dritave do të mbetej tatuazi më i padëshiruar për të.
Anipse i fitoi 5 trofe, ata janë kujtim i zbehtë për parsienët, pasi u turpërua nga Barcelona në Ligën e Kampionëve. Kundër “MSN-së” së famshme fitoi 4-0 ndeshjen e parë, teksa u gjunjëzua 6-2 në “Camp Nou”.
Në fund të sezonit i mblodhi valixhet dhe iku. Skuadrat e mëdha nuk ishin për të.
Kjo u dëshmua më pas edhe në Arsenal ku e kaloi një sezon për tu harruar. Pa suksese, pa lavdi, pa trofe.
Stregut filloi t’i humb lavdia. I duhej një rikthim në rrugën e vjetër të sukseseve.
“Nëndetësja e verdhë”, Villarreali kishte nevojë për një pilot.
I besuan Emery-s. Dhe ai ia shpërbleu.
Me përvojë të madhe në supe, me dëshirë të madhe për ta rikthyer reputacionin e fituesit, Emery filloi vrullshëm qysh në sezonin e parë.
18 ndeshje rradhazi pa humbje. Tjetër rekord për bllokun e tij të shënimeve dhe për Villarrealin.
Pasi kjo skuadër ishte në Europaligë, trofeu ja bënte me sy Emery-s.
Arritja në gjyëmëfinale nuk ishte keq, por kur Emery e kuptoi emrin e kundërshtarit ju shtua oreksi: Arsenali.
Në Londër akoma bënin ironi me aksentin e anglishtës që kishte Emery.
Tifozët londinez thonin “Good ebening”, por ai ja bëri “good night”.
Me rezultat 2-1 në total, Villarreali e eleminoi Arsenalin. Një fitore e madhe.
Më pas, në finale të verdhët do e mposhtin Manchester Unitedin 11-10 në penalti për ta fituar trofeun e shumëkërkuar.
Një natë e paharruar. Emery u rikthye përsëri në skenën e madhe.
Trofeu i Europaligës ishte biletë direkte për në Ligën e Kampionëve pas një dekade mungesë.
Pritshmëritë që Villarreali të ketë sukses në kompeticion e veshgjatës ishin të vogla, pasi në La Liga e kishin mbyllur sezonin në vendin e 14-të.
Me tre fitore, dy humbje dhe një barazim, e kaluan edhe grupin në Ligën e Kampionëve.
Kundërshtari i parë me eleminim direkt ishte Juventusi. 1-1 në shtëpi, 3-0 në udhëtim. “Nëndetësja e verdhë” e dërgoi “Zonjën e vjetër” në shtëpi.
Shorti i vuri përballë gjigandit bavarez, Bayern Munchen, në çerekfinale.
Fitore 1-0 në shtëpi, një barazim 1-1 në udhëtim dhe befasia ndodhi, Villarreali u kualifikua në gjysmëfinale. Për herë të parë në historinë e klubit
Më pas do eleminoheshin nga Liverpooli, por pak kishte rëndësi.
Ky ishte më shumë se limiti i skuadrës spanjolle dhe Emery vendosi ta mbyllë këtë kapitull
Në vitin 2022 zbarkoi përsëri në ishull.
Kësaj rradhe në “Villa Park”, për t’i zgjidhur problemet e Aston Villës, pasi Steven Gerrard u largua duke e lënë një lëmsh të madh prapa vetës.
Në sezonin e parë më e mira që mundi ta bëjë ishte vendi i 7-të.
Kurse, tani është në garë për titull.
13 fitore, 4 humbje, 4 barazime.
Pozita e 4, vetëm 5 pikë më pak se Liverpooli që është lider.
Njëjtë sa Arsenali dhe City në pozitat 3 dhe 2.
Një tjetër “përrallë” e bukur po shkruhet.
Autori është Unai Emery.