Ka kohë që në mediat kosovare lajmet mbi zhvillimet në veri të vendit dhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë kryetema.
Por kësaj here vëmendjen e pushtetit e ka marrë mediumi Klan Kosova, i cili po përballet me vendime të çuditshme.
Ishte data 14 qershor kur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) bëri të ditur për opinionin pubik se kishte iniciuar kallëzim penal ndaj “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjersa theksohej se ishte marrë vendim që certifikata e këtij biznesi të pezullohej.
Ndonëse mediumi në fjalë e cilësoi si “të padrejtë” dhe për këtë gjeti edhe mbështetjen nga shtëpi të tjera mediatike dhe individë publik e pjestarë të gazetarisë, çdo të thoshte kjo për gazetarinë në Kosovë?
Kureshtja për këtë çështje rritet edhe pas pezullimit dhe rikthimit të dytë të një vendimi të tillë atëherë kur u raportua se në krye të detyrës tashmë ishte familjarja e njërit nga deputetët e partisë në pushtet.
Profesori universitar në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Milazim Krasniqi e konsideron këtë veprim ndaj “Klan Kosovës” të palogjikshëm e një “politikë anishtetërore”.
“Suspendimi i certifikatës i ka elementet e sjelljes abnormale të Qeverisë, qoftë dhe vetëm si spin, si tentativë për të mbuluar dështimet e veta të shumta, veçmas në raport me partnerët ndërkombëtar. Referimi në një çështje terminologjike a adminisrative, për të tentuar mbylljen e njërit nga televizionet me të mëdha dhe më kredibile në vend, vërtet është jashtë logjikës. Në kohën kur në Kosovë operojnë media që mohojnë shtetin e Kosovës siç bëjnë disa televizione në pronësi serbe dhe e të cilat as Agjencia e as KPM nuk guxojnë t’i prekin, kjo tentativë ndaj Klan Kosova duket edhe si politikë antishtetërore dhe antikombëtare”, ka thënë Krasniqi.
Sipas Krasniqit, “kjo tentativë morbide e Qeverisë, nuk do të ketë sukses por do të mbetet shija e hidhur e qëllimeve të saj të errëta ndaj lirisë së medias.”
Ai shton se një ndër arsyjet e një veprimi të tillë mbetet “urrejtja patologjike” e partisë në pushtet ndaj mendimit të lirë e për rrjedhojë, edhe një frikë nga diversiteti medial.
“Njëra nga arsyet është urrejtja patologjike ideologjike që ka LVV dhe Kurti ndaj kapitalizmit, iniciativës së lirë, konkurencës. Ata synojnë të vendosin kontroll mbi institucionet, ekonominë, shoqërinë sipas dogmave marksiste dhe trockiste. Arsyeja tjetër është fobia nga mendimi i lirë, nga liria e medias. Ata kanë frikë neurotike nga mendimi i lirë, nga diversiteti dhe konkurenca”, ka deklaruar ai.
Se një veprim i tillë mbetet i pabazë e me motive politike pajtohet edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Shkarkimi i tashmë, ish-drejtoreshës Presteshi dhe zëvendësimi i saj nga familjarja e një deputeti të pushtetit, sipas Miftaraj tregon se karakteri i këtij veprimi, është politik dhe s’ka të bëjë me vendosje të ligjshmërisë.
“Fatkeqësisht MINT është duke vazhduar që përmes vendimeve administrative të pabazuara dhe të padrejta të pezulloj lisencën e një shoqërie aksionare pjesë e së cilës është edhe komponenta e medias. Për më tepër, mënyra se si është shkarkuar zëvendësdrejtoresha Perstreshi dhe e njëjta eshte zëvendesuar nga një familjare e një deputeti të partisë në pushtet në public, fitohet besimi se vendimi ka karakter politik dhe ska asgjë me vendosjen e ligjshmërisë”, ka deklaruar Miftaraj.
Ky i fundit ka vlerësuar se veprimet ndaj Klan Kosovës cenojnë lirinë e medias gjersa theksoi se qasja e MINT nuk do duhej të tolerohej nga shoqëria.
“Një qasje e tillë është sulm nga lirisë së medias, të drejtës për informim dhe cenon parimet bazë të demokracisë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe vlerat që i synon shoqëria kosovare. Në këtë drejtim, kjo qasje e MINT nuk do të duhej të tolerohej në një shoqëri demokratike”, ka deklaruar ai.
Gazetarë të tërë kanë raportuar nga komunat në veri të vendit që nga tensionimi i situatës nga protestuesit lokalë serb. Së fundmi, të njëjtit u bënë cak i sulmeve fizike nga protestuesit, ndër ta edhe gazetarët e RTV Dukagjini.
Sipas profesorit Krasniqi, guximi i treguar i gazetarëve do mund t’i ketë krijuar kreut të ekzekutivit kosovar një përshtypje se ata mund të paraqesin një rrezik për të.
“Kjo është një goditje e rëndë për gazetarinë, në kohën kur gazetaria ka shënuar arritjet e veta më të larta profesionale, morale dhe kombëtare nga raportimi nga veriu. Gazetarët sypatrembur raportuan nga veriu, edhe pse ishin në kërcenime dhe rrezik për jetën e tyre. Kjo e ka tmerruar Kurtin, sepse këta gazetarë guximtarë ai nuk i ka nën urdhëra dhe prandaj i sheh si rrezik. Paranoja marksiste, trockiste nga gazetarët dhe nga mediet është botërisht i njohur. Por gazetarinë shqiptare nuk ka mundur ta mposht as Millosheviqi, Vuçiqi në vitet 90. Tash në liri, shanset për ta mposhtur qeveria gazetarinë dhe lirinë e medies janë të barabarta me zero”, ka deklaruar ai.
Krasniqi e mbyll në diskursin që më së miri kuptohet në opinionin publik.
“Siç thuhet popullorçe, veç po koriten”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) thonë se vendimi mbi pezullimin e licenës së mediumit të lartëcekur lë përshtypjen e një përpjekjeje të Qeverisë Kurti për të kufizuar lirinë e mediave.
“AGK-ja, rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga Kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë”, kanë thënë nga AGK.
Jo më ndryshe ka deklaruar edhe juristja e mediave, Flutura Kusari.
“Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë luftën speciale në përpjekje të dështuar dhe të turpshme për mbylljen e televizionit nacional Klan Kosova”, ka thënë ajo gjersa ka theksuar se “Vendimi është politik, duket si dokument i hetuesisë, ka bazë të gabuar ligjore, nuk ka arsyetim ligjor por vetëm politik dhe si i tillë duhet të kundërshtohet fuqishëm”, ka deklaruar Kusari.
Për këtë vendim politik, Kusari kishte shkruar se pasojat do i vuante shoqëria, vendi ynë, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri, Albin Kurti.
Më 16 qershor, Komisioni i Pavarur i Mediave mbajti një mbledhje në të cilën Klan Kosovës iu dha afati prej 30 ditësh që të bëjë plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit në përputhje me rregulloren për ofruesit e shërbimeve mediale.