Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka shkuar të hënën në Studime të Vushtrrisë, me rastin e përvjetorit të 23-të, të masakrës së kryer nga forcat paramilitare të Serbisë mbi popullsinë civile shqiptare.
I pari i PDK-së, përmes një postimi në Facebook, ka përkujtuar masakrën e 2 majit 1999 që ndodhi në Studime të Vushtrrisë.
“Me 2 maj të vitit 1999, në Studime të Vushtrrisë, forcat kriminale serbe kishin marrë peng Xhemajl, Selatin dhe Shaban Gërxhaliun dhe, para syve të tyre, u kishin ekzekutuar familjarët një nga një. Atë ditë të kobshme, familjes Gërxhaliu iu ekzekutuan 36 anëtarë të familjes. Sebahudini, djali i Selatinit ishte vetëm 5 vjeç, ndërkaq, nëna e tij, Sala, ishte 85 vjeç”, ka thënë Krasniqi.
Ai ndër të tjera ka shtuar se në Studime, krimet çnjerëzore të një ushtrie të etur për gjak e masakra mbi civilë të pambrojtur vazhduan edhe mbi familjet Gërguri, Rashica, Sfarça e shumë familje të tjera.
“116 civilë, të paarmatosur e të pafajshëm, nga të gjitha moshat e gjinitë – fëmijë, gra, burra e pleq, u ekzekutuan pa asnjë mëshirë atë ditë të kobshme”, ka theksuar Krasniqi.
Sipas Krasniqit, edhe 23 vjet më pas, drejtësia vazhdon të heshtë për të gjithë këta martirë, edhe për Sebahudinin 5 vjeçar, i cili atëkohë ende nuk kishte nisur shkollën.
Siç thotë ai, sot ai do të kishte qenë 28 vjeç.
Krasniqi ka shtuar se vuajtjet dhe sakrificat e popullit të Kosovës për liri nuk duhet të harrohen asnjëherë.
“Prandaj, ne nuk guxojmë të harrojmë asnjëherë vuajtjet dhe sakrificën që ka kaluar populli ynë në rrugën e lirisë. Sot, nesër dhe secilën ditë tjetër, ne do të kërkojmë drejtësi dhe ndëshkim të kriminelëve. Lavdi martirëve të Studimes!”, ka shkruar më tutje Krasniqi.
Të hënën shënon 23 vjetori i masakrës në Studime të Vushtrrisë ku forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.
Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.
Kjo masakër nga krerët e institucioneve të Kosovës është cilësuar si një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit.