Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë të ditur se ekipi i të rinjve i mundjes i ka shpëtuar tërmetit në Turqi dhe se janë kthyer tashmë në Kosovë.
“Ekipi i të rinjve të mundjes sapo ka ateruar në aeroportin e Shkupit, pas një rrugëtimi maratonik prej 30 orësh nga Kayseri në Stamboll me autobus dhe nga Stambolli në Shkup me aeroplan”, thuhet në njoftim.
Ky ekip ndodhej në qytetin Kahramanmarash, ku ndodhi tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë.
Gjashtë anëtarët e ekipit po merrnin pjesë në turneun “12 February”, ndërsa fatmirësisht kishin shpëtuar pa lëndime përkundër dëmtimeve të hotelit ku po qëndronin, derisa ndërtesat dhe hotelet përreth ishin rrënuar.
Tërmeti i shkallës 7.8 ballë e ka goditur Turqinë dhe Sirinë në mëngjesin e së hënës së gjashtë shkurtit. Si pasojë e këtij tërmeti kanë vdekur afro 9 mijë persona.