I vazhdohet paraburgimi Thaçit, Veselit dhe Bahtjarit

Është marrë vendim për të vazhduar masën e paraburgimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Ismet Bahtjarin

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për të vazhduar masën e paraburgimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Ismet Bahtjarin.

Me vendime të ndara për Thaçin dhe Veselin, trupi gjykues ka konstatuar se ekziston të vazhdojë rreziku i pengimit të procesit gjyqësor.

“Më 15 prill 2024, Trupi Gjykues, në vendime më vete për secilin, vazhdoi paraburgimin e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, dhe në lidhje me të dy të akuzuarit konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku se do të pengojnë procesin dhe do të kryejnë vepra penale të tjera, dhe se ky rrezik mund të zvogëlohet vetëm me anë të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së, përfshirë masat e urdhëruara rishtazi nga Trupi Gjykues”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle gjatë një konference për media për informim javor lidhur me punën e kësaj gjykate.

Sipas Doyle Trupi gjykues ka përseritur konstatimet se Thaci iu ka jep informacione vizitorëve lidhur me dëshmitë e dhëna në këtë proces gjyqësor.

“Në këtë kontekst, në rastin e z. Thaçi Trupi Gjykues përsëriti konstatimet e mëparshme se duket se z. Thaçi u tregoi vizitorëve informacion të nxjerrë gjatë dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtur dhe se dokumentet sugjerojnë se ai i dha një vizitori jo të privilegjuar udhëzime për t’ia kaluar një dëshmitari të ardhshëm të ZPS-së në lidhje me mënyrën dhe përmbajtjen e dëshmisë që do të jepte ai dëshmitar”, tha ai.

Ndërsa, sa i takon vendimit për vazhdimin e paraburgimit për Ismet Bahtjarin, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se paraburgimi vazhdon të jetë i arsyeshëm.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake vazhdoi paraburgimin e z. Bahtijari, duke konstatuar se, megjithëse kushtet e propozuara nga Mbrojtja mund të zvogëlonin mjaftueshëm rrezikun e arratisjes, ato nuk do të mund të kufizonin aftësinë e të akuzuarit për të penguar ecurinë e procesit të Dhomave të Specializuara dhe për të kryer vepra penale të tjera. Në veçanti, Gjykatësi i Procedurës Paraprake u shpreh se z. Bahtijari do të kishte motivin, mjetet dhe mundësinë për t’i bërë trysni Dëshmitarit 1 që të mos marrë pjesë në proces, apo të manipulojë provat. Gjykatësi gjithashtu konstatoi se paraburgimi i z. Bahtijari vazhdon të jetë i arsyeshëm dhe proporcional. Po në këtë çështje, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i miratoi Mbrojtjes së Bahtijarit zgjatje të afatit deri më 19 prill 2024 për dorëzimin e të gjitha dokumenteve të nevojshme për të kërkuar ndihmë juridike në Zyrën Administrative të Dhomave të Specializuara”, tha Doyle.

Po ashtu, Doyle tha se trupi gjykues ka hedh poshtë kërkesën e Veselit për leje për apelimin e një vendimi mbi pranimin e disa provave.

“Trupi Gjykues konstatoi se Mbrojtja e Veselit nuk vërtetoi ndonjë padrejtësi të shkaktuar nga pranimi i provave dhe vuri në dukje se kishte dëgjuar parashtrimet e të dy palëve para se të merrte vendimin”, tha ai duke shtuar se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është caktuar me 22 prill duke filluar nga ora 09:00.

Ndërsa, sa i takon çështjes gjyqësore të Pjetër Shalës, Doyle tha se janë dëgjuar deklaratat përmbyllëse e po ashtu kryetarja e trupit gjykues e ka shpallur çështjen të mbyllur.

“Të hënën, Prokuroria bëri deklaratën e vet, vijuar nga Mbrojtësi i Viktimave të martën paradite. Mbrojtja përfundoi deklaratën e vet përmbyllëse të mërkurën, pas së cilës palët dhe pjesëmarrësit u përgjigjën dhe komentuan mbi parashtrimet e njëri-tjetrit. Pas kësaj u bënë parashtrime në lidhje me çështjen e zhdëmtimeve në rast të një vendimi fajësie, dhe z. Shala iu drejtua gjykatës. Kryegjykatësja e deklaroi çështjen gjyqësore të mbyllur. Në përputhje me Rregulloren, gjykatësit e Trupit Gjykues mblidhen për të bërë kuvendime konfidenciale për marrjen e vendimit të gjykimit në lidhje me akuzat në aktakuzë. Vendimi i gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë ditësh pas mbylljes së çështjes, përveçse kur rrethanat e saj kërkojnë zgjatje të mëtejshme të këtij afati”, tha Doyle.

Zëdhënësi i DhSK-së tha se Apeli ka rrezuar apelimin e Haxhi Shalës kundër vendimit për paraburgimin e tij.

“Në çështjen kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, Paneli i Apelit më 12 prill rrëzoi apelin e z. Haxhi Shala kundër vendimit të Gjykatësit të Procedurës Paraprake për vazhdimin e paraburgimit të tij. Po në këtë çështje, versioni i redaktuar publik i vendimit mbi rishikimin e paraburgimit të Ismet Bahtijarit doli javën e kaluar”, tha ai.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /Betimi për Drejtësi

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika