Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka akuzuar qeverinë në lidhje me projektligjin për tekste shkollore, duke e cilësuar procesin si “ilegal klandestin” dhe “kontrabandues”.
“Kjo çka po ndodh është ilegale klandestine, është kontrabandu… cila lagje është më afër edhe me pru një ligj e me bë hajgare. I kemi marrë video-incizimet nga Sekretaria, i kemi marrë përgjigjet. Aty keni qenë 60 s’ka pasur kuorum, është i vjedhur. Çka keni sjellë është i vjedhur. Një ligj që s’ka vota, s’ka shanse me kalu një ligj, i cili s’ka kalu. Nuk kalu në parlament. Ju keni me u përball edhe në gjykatë kushtetuese. Duhet të shtyhet kjo mbledhje”, ka deklaruar Kastrati.
Kastrati, por edhe deputetët tjerë të partive opozitare, kanë kundërshtuar mbajtjen e mbledhjes së grupit punues për projektligjin për tekstet shkollore pa konfirmuar se ligji ka kaluar në kuvend.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, e ka pranuar që projektligji për tekste shkollore mund të mos i ketë pasur votat, por ka thënë se është një vendim i cili është i kontestuar e që, sipas tij, grupi punues duhet t’i vazhdojë punimet.
Gjatë vazhdimit të mbledhjes, Kastrati i PDK-së është përplasur me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, të cilën e ka akuzuar për vjedhje votash në miratimin e këtij projektligji.
Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vlora Dumoshi, ka theksuar se duhet të sigurohen se fillimisht a është i bazuar në procedurat e duhura dhe i mbështetur nga votat e nevojshme.
“Aktualisht, projektligji është në diskutim për faktin se a ka pasur vota kur është miratuar. Kërkesa në sekretari ka shku nga VV-ja në datën 29 dhe pastaj nga opozita”, është shprehur Dumoshi, në mbledhjen e grupit punues për projektligjin e teksteve shkollore.
Ajo gjithashtu ka theksuar se pasi Kuvendi është institucioni që prodhon ligje, është e rëndësishme që të mos fillojnë punën për këtë ligj pa garantuar që procesi është i ligjshëm dhe transparent.
“Sfidat e mundshme ligjore duhet të trajtohen me kujdes, për të shmangur çdolloj kontrabande ligjore. Është e rëndësishme që ligjet që miratohen në kuvend, të respektojnë kushtetutën dhe procedurat ligjore të vendit tonë”, ka shtuar ajo.
Deputetja Dumoshi ka shtuar se nuk duhet ta fillojnë punën për këtë ligj pa përgjigjen e nevojshme nga institucionet përkatëse.
“Pasi ky kuvend prodhon ligje, është mirë që të mos ia fillojmë punën dhe pastaj ta presim që t’ia nisim punës. Shpresoj të ketë pasur vota dhe ky ligj të mos jetë i kontrabanduar. Ky ligj e shkel kushtetutën, besoj se me një marrëveshje nuk duhet t’ia nisim punën, pa përgjigjen e Sekretarisë”, ka deklaruar Dumoshi.
Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, po ashtu, ka kërkuar verifikimin e votave pas pretendimeve për mungesë të numrit të mjaftueshëm të votave për të kaluar projektligji.
“Me datën 29 është bërë kërkesë për verifikim e projektligjin sepse pretendohet se s’ka pas vota të mjaftueshme për të kaluar. Është kërkuar verifikimi i deputeteve pjesëmarrës. Për hir të transparencës, konsideroj që të mos vazhdohet me punën pa marrë përgjigje konkrete në lidhje me pretendimet që nuk ka pasur numër të mjaftueshëm për të kaluar projektligji”, ka deklaruar Reshitaj.
Ajo gjithashtu ka theksuar se nëse pas verifikimit del se nuk ka pasur vota të mjaftueshme, mazhoranca duhet të mbajë përgjegjësinë.