Historia e ish-komandantit Agim Ramadani nuk është treguar rrallë. Megjithatë, detaje si ato të sotmet në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, të japin një vështrim më të afërt të historisë së tij.
Ndonëse jo rrallëherë kishte treguar për historinë e saj me Agimin, bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani, tregon se si një letër e Agimit e nisur nga Akademia Ushtarake, e kishte bërë babain e saj të kuptonte raportin me Agimin, ndonëse atë kohë vetëm shoqëror.
“Më mungonte si shok. Dërgonim letra. ‘I yti përgjithmonë’, më shkruante në fund. Dhe ajo letër për dreq i bie në dorë babait tim. E hap, e shikon dhe më pyet se kush është ky ‘i yti përgjithmonë’. Thashë e kam në klas. Tha ‘çfarë klase, ‘i yti përgjithmonë’”, tregon ajo gjersa thekson se ia kishte përsëritur se vetëm shok e ka.
Ndonëse e kishte kaluar disi, Shukrije Ramadani thotë se babai nuk e kishte pritur mirë, ndërsa Agimin e njihte vetëm si bashkëfshatar, jo më shumë.
Asokohe, Agimi ishte në Akademinë Ushtarake, vend ky nga i cili ishte pezulluar prezenca e tashmë të shoqes.
“Në vitin e parafundit të shkollës së mesme, veç filluan demostratat e studentëve dhe ishim bashkë një grup ilegal, atë kohë erdhi një ofertë nga Akademia ushtarake dhe të dy vendosëm të shkojmë duke e ditur se ishim të përgatitur emocionalisht dhe moralisht që të mbronim atdheun, vendosëm të shkojmë. Ishim vetëm shokë dhe nga aty, bëhemi një strumbullarë ku do të luftojmë për të mbrojtur atdheun tonë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, ideali ynë numër një. U pranuam të dy, nisën demostratat, e humba të drejtën dhe ai shkoi atje. Unë isha në demostrata, më ndëshkuan ashtu atë kohë. Më përjashtuan edhe nga e mesmja, më lanë të përfundoja me intervenca”, tregon ajo.
Megjithatë, letrat e Agimit nuk u ndalën. Të njëjtat vinin shpesh dhe për rrjedhojë, Shukrije Ramadani i kishte treguar të atit.
“Nisën të vinin letra si shpesh dhe babai im u shqetësua gjersa më pyti. E pranova, thashë e dua”, tregon ajo gjersa i tregon për prejardhjen e Agimti dhe çfarë bën ai. “’Nuk të jap’, më tha babai. Unë i thash se e dua. Kështu vazhdoi katër vite me rradhë. Agimi në akademi, takoheshim tinxa. Dilnim në Gjilan, bën te sikur s’më sheh. Vazhdoi si e tillë deri sa erdhi hapi përfundimtar. Ai e pret babain tim te puna. ‘Jam Agimi’, i ishte prezantuar. ‘Dua të ma jepni Shukrijen’. ‘Çfarë Shukrije, ç’është ai llaf? S’ta jap kurrë’”.
Atë moment, siç tregon bashkëshortja e tij, Agimi i kishte nxjerrë revolen babait të saj në prehër.
“’O ma jep, o më vraj’. Babai s’pati tjetër mundësi…ky ishte momenti i fejesës”., tregon ajo. ‘Më sollën trëndafila, u trishtova. Thashë më paskan fejuar diku pa më pyetur, se e disha mentalitetit tonë. Pyeta se çka janë ata trëndafila e më tha për fejesën tënde. Thashë se e paskan kënaqur…nëna tha për Agimin. I thash të mos bënte shaka. Babai nisi të qante dhe doli jashtë…aq shumë u trishtova as s’dita të gëzohesha. U habita dhe nuk dija të gëzohesha, ai nuk ishte aty’, tregoi.
Bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani, ka treguar mbi njohjen e tyre qysh nga fëmijëria. Siç tregon ajo, të dy kishin luajtur rolin e dashorëve në shfaqjet teatrale, gjersa nuk e mohon se në pjesë të caktuara të raportit të tyre, e kishte edhe zili.
“Nuk e di se si mund të mendoj njeriu kur që nga fëmijëria e njoh. Jemi rritur në të njëjtin fshat, vetëm lumi na ndan shtëpitë tona dhe jemi rritur në atë lumë duke u larë si fëmijë, duke luajtur dhe duke jetuar një jetë idilike që s’mund ta ëndërroj askush….Është paksa e çuditshme. Kemi qenë të dy nxënësit më të mirë të shkollës, çdoherë kam pasur xhelozi ndaj tij. E kam xhelozuar një kohë për ta urrejtur më vonë dhe gjithë ajo urrejtje u shndërrua në një dashuri të çmendur (e thotë duke qeshur). Ishte më i miri, sidomos në lëndë ekzakte. Në çdo garë ishte i pari dhe unë përherë provoja që ta kaloja dhe e kisha shumë vështirë. Kemi qenë në të njëjtën klasë që nga e mesmja, ndërsa në shkollën fillore çdoherë na kanë ndarë, ngase atëherë ishte koha kur nxënësit e mirë i ndanin në kohë të ndryshme që të ndikonin në rrethin e tyre. Çdoherë në pjesët teatrale kemi luajtur rolin e dashnorëve, ishte e çuditshme kjo. Thuajse ata mësimdhënësit tanë veç e kishin parandjerë diçka të tillë. Më kujtohen shumë role që kemi luajtur bashkas kur ai më ngacmonte ngase kishim rolin e dy dashnorëve…çdoherë unë isha Hajrija, ai ishte Halili apo ndonjë rol tjetër ka qenë në klasën e katërt, unë isha nëna, ai ishte djali im i cili bënte sherre dhe unë duhej t’ia ngrihja veshin ngaqë kishte bërë ca shkelje të rregullave shtëpiake. Kurrë s’e harroj, ishim në skenë në Gjilan, merrshim pjesë në emër të fshatit tonë, zhvillohej shumë jeta kulturore atë kohë…sapo desha t’ia ngrihja veshin, ai më shikoi shtrembërt…u morëm vesh me shikim. Kur e kryem pjesën teatrale, tha pse nuk ia ngrehe veshin, thashë se më shikoi aq trembshëm saqë u frikësova”, ka treguar ajo.
Se cili mbetet momenti kur e dinte se e donte, nuk e di as vetë Ramadani.