Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën një person në Gjilan, i cili dyshohet se ka mashtruar një qytetar duke i marrë 600 euro në këmbim të mundësimit të kalimit të testit për patentë shofer.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur më 27 gusht të vitit të kaluar, kur i dyshuari mashkull kosovar, duke përdorur pajisje elektronike, i kishte premtuar viktimës se do t’ia siguronte kalimin e testit për lejen e vozitjes.
“Mashtrim- Më 10 shkurt, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti me datën e lartë-cekur ka kryer veprën penale të lartcekur ndaj viktimës mashkull kosovar duke i marr një shumë parash prej 600€ dhe duke përdorur pajisje elektronike në këmbim të dhënies (mundësimit të kalojë testin) e patentë shoferit”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është intervistuar nga organet e hetuesisë dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.