Identifikohen 32 fëmijë lëmoshëkërkues vetëm gjatë tremujorit të parë të 2023-ës

Në mot të ftohtë e të nxehtë, rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera, edhe gjatë periudhës së tremujorit të parë të vitit 2023, ishin të mbushura me lëmoshëkërkues. 32 fëmijë lëmoshëkërkues janë identifikuar vetëm në tremujorin e parë të këtij viti nga Policia e Kosovës, ku sipas tyre, numri më i madh vjen nga Shqipëria

Foto ilustruese,

Policia e Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim për Portalin Dukagjini, ka treguar numrin e saktë të fëmijëve lëmoshëkërkues. Sipas statistikave, gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, janë identifikuar 32 fëmijë, ku janë iniciuar 24 raste për veprën penale “Keqtrajtim apo Braktisje e Fëmijës”, me gjithsej 26 të dyshuar.

Tutje, gjatë vitit të kaluar, janë identifikuar 77 fëmijë duke kërkuar lëmoshë, ndërsa janë iniciuar 44 raste për veprën penale “Keqtrajtim apo Braktisje e Fëmijës”, me gjithsej 53 të dyshuar.

Ndërsa në vitin 2021, Policia e Kosovës ka regjistruar 60 fëmijë duke kërkuar lëmoshë dhe kanë iniciuar 28 raste për veprën penale “Keqtrajtim apo Braktisje e Fëmijës”, me gjithsej 33 të dyshuar.

Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka potencuar se në kryeqytet janë paraqitur 18 raste të fëmijëve lëmoshëkërkues dhe janë nga të gjitha nacionalitetet, qoftë shqiptar, RAE, etj.

Vebi Mujku, Drejtor i QPS në Prishtinë

Mujku për Portalin Dukagjini ka theksuar se mosha mesatare e fëmijëve ose në përgjithësi e lëmoshëkërkuesve sillet nga 5 deri në 18 vjeç.

“Fëmijët që gjenden në kryeqytet janë kryesisht nga komunat përreth dhe me familje nga Shqipëria. Ne përveç intervistës së parë dhe shërbimeve të para, i referojmë në QPS përkatëse prej nga vinë. Po ashtu, kemi siguruar edhe qëndrimin në qendrën ditore për fëmijë, pa dallim të cilës komunë janë”, është shprehur Mujku.

Alltane Berisha, punëtorja sociale e Organizatës Joqeveritare Terre des Homes në Prizren, për Portalin e Dukagjini, ka theksuar se numri i fëmijëve lëmoshkërkues është 32 dhe shumica prej tyre janë të gjinisë mashkullore dhe i përkasin komunitetit RAE dhe atij shqiptar.

Sipas tyre, mosha që dominon është nga 8 deri në 18 vjet.

“Shërbimet sociale që QPS ofron për fëmijët dhe familjet e fëmijëve lëmoshëkërkues janë Këshillim psiko-social për fëmijët dhe familjet, ngritje e kapaciteteve prindërore për prindërit e fëmijëve lëmoshëkërkues, ofrimi i asistencës sociale, ofrimi i pakove ushqimore dhe higjienike kohë pas kohe, kujdesi shëndetësor, regjistrimi në shkollë, si dhe përcjellja e vijueshmërisë së mësimit në mënyrë që të mos e braktisin mësimin, mbështetja e pagesës së qirasë për familjet të cilat i plotësojnë kriteret”, thuhet në përgjigjen e Qendrës për Punë Sociale në Prizren.

Tutje “në bashkëpunim me OJQ Terre des Hommes dhe Unicefin si mbështetje edhe Ekipin mobil të përbërë nga dy punëtorë, një Punëtorë Social dhe Psikologu, të cilët në vazhdimësi janë në teren dhe ofrojnë shërbime direkte për fëmijët në situatë rruge”.

Disa nga arsyet kryesore që fëmijët kërkojnë lëmoshë janë “neglizhenca prindërore, gjendja ekonomike e familjeve dhe për një pjesë të fëmijëve dhe familjeve kërkimi i lëmoshës është bërë si stil jetese”.

Ndërsa, Demush Morina, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në komunën e Vitisë, në një përgjigje me shkrim për Portalin e Dukagjini ka theksuar se në këtë komunë nuk ka fëmijë lëmoshëkërkues, por edhe nëse ka, ata janë “vetëm gjatë ditës së enjte, duke përfshirë dy-tre fëmijë që kërkojnë lëmoshë, pasi në këtë komunë është ditë tregu”.

Tutje, Morina ka theksuar se “kemi edhe disa fëmijë, por ata zakonisht janë pranë prindërve lypës”.

Pasi dukuria e fëmijëve lëmoshëkërkues është një problem që merren shkencat humane, Portali Dukagjini ka adresuar disa pyetje për sociologun kosovar, Jeton Brajshori, i cili theksoi se procesi i lëmoshëkërkimit është një proces i vështirë, i cili ndikon direkt në zhvillimin e personalitetit të fëmijës.

Sipas Brajshorit, këta fëmijë bullizohen dhe stigmatizohen nga shoqëria për shkak të lëmoshës që kërkojnë dhe se janë pothuajse tërë ditën në rrugë. Ai tutje ka thënë se institucionet kanë bërë fare pak në këtë drejtim, gjë që lë të nënkuptohet se ka edhe persona brenda institucioneve përkatëse, të cilët janë të zhytur në botën kriminale e cila i kontrollon shumicën e tyre.

“Procesi i lëmoshëkërkimit është një proces i vështirë, i cili ndikon direkt në zhvillimin e personalitetit të fëmijës. Këta fëmijë bullizohen dhe stigmatizohen nga shoqëria për shkak të lëmoshës që kërkojnë dhe se janë pothuajse tërë ditën në rrugë. Institucionet kanë bërë fare pak në këtë drejtim, gjë që lë të nënkuptohet se ka edhe persona brenda institucioneve përkatëse, të cilët janë të zhytur në botën kriminale e cila i kontrollon shumicën e tyre. Institucionet duhet të sigurohen se këta fëmijë duhet të shkojnë në shkolla, arsimimi fillor është i obliguar me ligj dhe në këtë mënyrë këtyre fëmijëve po u mohohet e drejta e tyre për shkollim. Institucionet duhet të shikojnë se nga vijnë këta fëmijë! Nëse janë nga vende e tjera, atëherë duhet që t’i riatdhesojnë, nëse janë nga Kosova, qendrat për punë sociale duhet të merren me ta”, ka treguar Brajshori.

Jeton Brajshori, Ligjërues i sociologjisë në Kolegjin AAB

Brajshori ka numëruar disa nga arsyet që vijnë deri te dalja e fëmijëve për të kërkuar lëmoshë, e në rastin më konkret, ka thekuar se dikush vërtet kërkon nga zori, po shumica e tyre punojnë me direktiva të tjetërkujt dhe janë në shërbim të grupeve kriminale.

Cilat janë rreziqet që përballen fëmijët që kërkojnë lëmoshë?

Për ta pasur më të qartë dhe për ta kuptuar gjithë këtë situatë, Brajshori ka treguar se cilat janë rreziqet që përballen fëmijët që kërkojnë lëmoshë.

“Rreziqet janë, ndryshimi i personalitetit, bërja profesion e kërkimlëmoshës, të mbeten të paarsimuar, të mos kenë shpresa për një të ardhme më të mirë, janë të prirur që të futen në botën e krimit më lehtë, thjesht kjo u shkatërron të ardhmen”, ka treguar ai.

Disa nga faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve të tilla, sipas Brajshorit, janë: faktori socio-ekonomik, prindërit e papërgjegjshëm dhe grupet e krimit.

“Fëmijët janë të brishtë dhe ende nuk janë në gjendje të mendojnë si duhet dhe në këtë mënyre manipulohen lehtë nga grupe të ndryshme interesi”, ka shtuar Brajshori.

Cilat janë veprimet që i ndalon apo i shmang që fëmijët të dalin në rrugë?

Sociologu Jeton Brajshori ka treguar se çdo gjë fillon nga familja, dhe sipas tij, prindërit janë ata që duhet të kenë kujdes në sjelljet e tyre sepse fëmijët janë të prirur t’i imitojnë.

“Çdo gjë e mësuar keq në fëmijëri ka impakt gjatë tërë jetës së tyre! Institucionet duhet te fëmijët lëmoshëkërkues t’i bëjë top prioritet për t’i trajtuar, duke filluar nga shkollimi që është obligativ deri te kujdesi dhe integrimi i tyre i plot në shoqëri”, ka përfunduar Brajshori.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika